Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka pritur në mbledhje anëtarët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për shqyrtimin e Raportit Vjetor të Punës për vitin 2025, raporton Ekonomia Online.
Kërkohet llogari nga KPMM-ja për vonesat në licencimin e investitorëve

Kryesuesi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Habib Basholli, gjatë raportimit para deputetëve tha se parandalimi i shfrytëzimit të paligjshëm të resurseve minerale mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit.
“Parandalimi i aktiviteteve vjetore, një nga çështjet që tërheq vëmendjen dhe boshtin e sipërm institucional, është parandalimi i shfrytëzimit të paligjshëm të resurseve minerale. Shfrytëzimi ilegal, përveç dëmit ekonomik, mund të shkaktojë pasoja për mjedisin, sigurinë dhe konkurrencën e ndershme midis operatorëve. Prandaj, forcimi i kapaciteteve inspektuese, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe zbatimi i masave ligjore mbetet prioritet i rëndësishëm për KPMM-në. Të hyrat dhe menaxhimi financiar. Të nderuar deputetë, një aspekt tjetër i rëndësishëm në raport me këtë është administrimi i të hyrave nga sektori mineral dhe realizimi i buxhetit institucional. Në raport janë paraqitur të hyrat sipas kategorive përkatëse, realizimi i buxhetit dhe karakteristikat me periudhat përkatëse. Vlerësoj se performanca financiare duhet të analizohet në vijë të drejtpërdrejtë me aktivitetet dhe rezultatet e institucionit. Sfidat në sektorin minerar”, tha Basholli.
Sipas tij, vavarësisht angazhimeve institucionale sektori minerar vazhdon të përballet me sfida të cilat kërkojnë trajtim të koordinuar, dhe çështjet që meritojnë vëmendje të veçantë janë përmirësimi i kornizës ligjore dhe rregullatore, forcimi i kapaciteteve profesionale, teknike dhe njerëzore, modernizimi i mekanizmave të inspektimit dhe mbikëqyrjes, parandalimi i veprimtarive ilegale dhe nxitja e investimeve të përgjegjshme në sektorin minerar.
“Trajtimi i këtyre çështjeve kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve në përgjithësi. Prioritetet në periudhën e ardhshme. Si resurse i vendit, konsideroj se KPM-ja duhet të vazhdojë të orientohet drejt fuqizimit të kapaciteteve institucionale, rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit, si dhe përmirësimit të transparencës. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mbrojtjes së interesit publik, zbatimit të ligjit dhe krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm për rregullimin e sektorit minerar. Të nderuar anëtarë të komisionit, dëshiroj të theksoj se pasuritë minerale të Republikës së Kosovës përbëjnë një potencial të rëndësishëm kombëtar, administrimi dhe shfrytëzimi i të cilave kërkon përgjegjësi të lartë institucionale. Në cilësinë e kryesuesit të bordit, mbetemi të përkushtuar që KPM-ja të përmbushë mandatin e vet ligjor me profesionalizëm, transparencë dhe llogaridhënie. Vlerësoj mbështetjen e këtij Kuvendi të Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e komisionit parlamentar, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e punës institucionale”, shtoi.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, Arben Mustafa, ngriti shqetësimet lidhur me vonesat në shqyrtimin e aplikimeve për licenca të hulumtimit, duke thënë se për këtë kanë pranuar ankesa edhe nga investitorë potencialë, përfshirë shqetësimet e përfaqësuesve të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
“Kemi pranuar ankesa nga investitorë potencialë, të cilët kanë aplikuar për licencë, por të cilët nuk kanë pranuar përgjigje pavarësisht që ka kaluar afati në raport me ligjin. Madje lidhur me këtë çështje kemi pranuar shqetësime serioze edhe nga përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, të cilët i kanë paraqitur shqetësimet e tyre me mungesën e përgjigjes së KPM-së në raport me aplikimet e tyre që kanë bërë për licencë. Kështu që për neve është me rëndësi të dimë sa licenca për hulumtime janë miratuar nga viti 2022, apo më mirë me thënë, kanë pranuar përgjigje qoftë duke u aprovuar apo refuzuar që nga ajo datë. Një çështje tjetër që dëshiroj, që kisha pas dëshirë me ju dëgju, ka të bëjë me minimet speciale. Në raportet vjetore të viteve të kaluara nuk kemi gjetur të dhëna sa i përket minimemeve speciale. Për vitet 2021, 2022 dhe 2023 nuk është prezantuar numri i minimemeve speciale në raportet vjetore të këtyre viteve. Ndërsa nëse krahasojmë numrin e minimemeve speciale në vitin 2025 është raportuar 34, që flet për një përgjithësim në krahasim me vitin 2019, dhe pyetja është çka po bëhet me minimet speciale. Dhe çështja e tretë që më duhet të ngres, zoti kryesues, ka të bëjë me moshën tuaj, fillimisht duke i vlerësuar arritjet dhe të gjithë karrierën që keni pasur. Mirëpo nëse mundeni të na vërtetoni, kemi informacion që keni kaluar moshën e pensionimit, moshën 65-vjeçare. Nga ana tjetër, ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjensioneve të pavarura thotë në mënyrë eksplicite që mandati i drejtorit apo anëtarit të organit drejtues kolegjial të agjencive rregullatore përfundon para afatit. Një prej arsyeve është, neni 6.7 thotë, arritja e moshës së pensionimit”, tha Mustafa.
Në përgjigje të pyetjeve të Mustafës, kryesuesi i Bordit të KPMM-së, Habib Basholli theskoi se janë dhënë përgjigje për aplikimet për licenca, duke përmendur numrin e licencave të lëshuara.
“36 licenca për hulumtim, 37 janë të shfrytëzueshme 167 licenca për aktivitete të veçanta. Rrjedhimisht ato që kanë qenë të ardhura paraprakisht, dhe ato që kanë qenë të këtij viti kanë marrë përgjigje”, potencoi Basholli.

















