Ekonomia Online
FUNDIT

VITA kërkon hetim nga Prokuroria, thotë se mbi 650 mostra janë marrë që nga korriku pa iu dorëzuar rezultatet

VITA kërkon hetim nga Prokuroria, thotë se mbi 650 mostra janë marrë që nga korriku pa iu dorëzuar rezultatet

Qumështorja VITA ka reaguar lidhur me dyshimet e ngritura së fundmi për cilësinë dhe sigurinë e produkteve të saj, duke kërkuar transparencë nga institucionet përgjegjëse dhe hetim nga Prokuroria e Shtetit.

Në reagimin e publikuar, kompania pretendon se që nga 2 korriku janë marrë mbi 650 mostra dhe janë realizuar më shumë se 30 inspektime, por sipas saj, deri më tani nuk i janë dorëzuar rezultatet e këtyre kontrolleve.

VITA thotë se fillimisht dyshimet ndaj saj kishin të bënin me praninë e vajit të palmës, më pas me përdorimin e qumështit pluhur dhe ujit të pusit, por pretendon se asnjëri prej këtyre dyshimeve nuk është vërtetuar.

"Fillimisht u ngritën dyshime për vaj palme, por ato nuk u vërtetuan! Pastaj për qumësht pluhur, por as këto dyshime nuk u vërtetuan! Më pas për ujë pusi, por as këto dyshime nuk u vërtetuan! Tani, pas gjithë këtyre kontrolleve, paraqitet një mostër prej vetëm një litri qumësht, me pretendimin se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1", thuhet në reagimin e kompanisë.

Qumështorja vlerëson se mënyra se si po zhvillohet kjo situatë ngre dyshime për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme kundër saj.

Kompania thekson se gjatë 25 vjetëve të veprimtarisë nuk është përballur me asnjë rast të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve.

"Për një çerek shekulli veprimtarie, VITA nuk është përballur me asnjë rast të vetëm të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve. Përkundrazi, jemi e vetmja fabrikë e përpunimit të qumështit në rajon e pajisur me certifikatat IFS Food, Halal Food Certificate dhe HACCP", thuhet në reagim.

Për këtë arsye, VITA i ka bërë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t'i shqyrtojë rastet dhe të hetojë të gjitha procedurat e ndjekura nga institucionet përgjegjëse.

"I bëjmë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t'i shqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse", thuhet në reagim.

Ndër të tjera, kompania ka kërkuar qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar.

"VITA kërkon transparencë të plotë, qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar", thuhet më tej.

Në fund, kompania u është drejtuar konsumatorëve duke siguruar se qëndron pas cilësisë së produkteve të saj, për të cilat thotë se prodhohen me qumësht 100 për qind vendor.

"Konsumatorëve tanë u themi qartë: VITA qëndron pas cilësisë PREMIUM të produkteve të saj, të prodhuara me 100% qumësht nga fermerët e Kosovës. Siguria ushqimore dhe shëndeti i konsumatorëve kanë qenë dhe mbeten prioriteti ynë absolut", thuhet në reagim.

"Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë", përfundon reagimi i Qumështores VITA.

Të ngjashme