Ekonomia Online
FUNDIT

Qeveria miraton marrëveshje për modernizimin e spitaleve dhe disa projekte infrastrukturore

Qeveria miraton marrëveshje për modernizimin e spitaleve dhe disa projekte infrastrukturore

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh, nismash për marrëveshje financiare dhe vendimesh për ndarje e transferim të mjeteve buxhetore.

Në mesin e vendimeve të marra është miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kjo marrëveshje parasheh blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, punime infrastrukturore për instalimin e tyre, krijimin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, asistencë teknike dhe trajnimin e ekipeve të inxhinierisë biomjekësore për mirëmbajtjen e pajisjeve.

Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.

Ky projekt përfshin modernizimin dhe përmirësimin e pajisjeve mjekësore në gjashtë spitale publike, si dhe përshtatjen dhe rinovimin e infrastrukturës spitalore për instalimin e pajisjeve, përfshirë ato të teknologjisë së lartë.

Sipas Qeverisë, përmes këtij projekti synohet edhe përmirësimi i kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese, rritja e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore, veçanërisht për familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, si dhe mbështetja e personelit shëndetësor dhe qëndrueshmëria e shërbimeve.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar edhe disa nisma për lidhjen e marrëveshjeve të granteve dhe kredive për projekte të ndryshme infrastrukturore dhe energjetike.

Ndër to është nisma për Marrëveshjen për Grant dhe Zbatim të Projektit ndërmjet Kosovës, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën – Ujërat e Zeza në Prishtinë”.

Gjithashtu, është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW-së për projektin “Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.

Një tjetër vendim ka të bëjë me projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV (Kontributi i BE-së)”, përmes një marrëveshjeje granti ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë dhe KfW Frankfurt am Main.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për projektin “Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë”.

Në fushën e energjisë, është miratuar edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Kosovës, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, që veprojnë së bashku si Administrator i Komisionit Evropian, për projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Përveç këtyre, në mbledhjen elektronike është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, sipas tabelave të paraqitura në Aneksin A dhe Aneksin B.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve të krijuar si rezultat i alokimit të parakohshëm.

Në fund, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25 për qind të ndarjeve buxhetore të ndikuara negativisht.

Të ngjashme