Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me padinë e ngritur nga Grupi KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi, përmes së cilës kërkohet kompensim financiar prej pesë mijë eurosh për shkak të dorëheqjes së saj para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare, të përcaktuar në një dokument të quajtur “Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale”.
AGK-ja e shqetësuar për padinë e Grupit KOHA ndaj gazetares Shpresa Hasimi, kërkon tërheqjen e saj

Në një reagim publik, AGK-ja e ka cilësuar këtë veprim si të paprecedentë dhe jashtëzakonisht shqetësues, veçanërisht për faktin se padia është iniciuar nga një shtëpi mediatike ndaj një gazetareje që ka dhënë kontribut në atë medium.
“Sipas deklarimit publik të gazetares Hasimi, nënshkrimi i dokumentit në fjalë ishte vendosur si kusht për punësim, pas një periudhe trajnimi dhe pune praktike pa kompensim financiar”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ky asociacion vlerëson se praktika të tilla mund të krijojnë precedent të dëmshëm dhe pasiguri për profesionistët e medias.
“AGK-ja vlerëson se praktika të tilla, përveç pasojave të drejtpërdrejta për gazetarët e përfshirë, rrezikojnë të krijojnë një precedent të dëmshëm dhe një mjedis pasigurie për profesionistët e medias, duke cenuar lirinë e tyre për të marrë vendime të pavarura lidhur me zhvillimin profesional dhe marrëdhëniet e punës”, thuhet në njoftim.
AGK-ja ka bërë të ditur se qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Shpresa Hasimi dhe se do ta mbështesë atë me të gjitha kapacitetet institucionale dhe profesionale.
Sipas njoftimit, përfaqësimi ligjor i gazetares po bëhet nga avokati Yll Zekaj, zyrtar ligjor i AGK-së, mbështetja e të cilit është siguruar falë Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Duke theksuar se respekton pavarësinë e gjyqësorit dhe pa paragjykuar epilogun e procesit gjyqësor, AGK-ja i ka bërë thirrje Grupit KOHA që të tërhiqet nga padia.
“AGK-ja i bën thirrje Grupit KOHA që të tërhiqet nga padia ndaj gazetares Shpresa Hasimi, duke dëshmuar respektim të të drejtave të gazetarëve”, thuhet në reagim.
Në fund, AGK-ja ka theksuar se shtëpitë mediatike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe në krijimin e kushteve të drejta të punës.
“AGK-ja rithekson se shtëpitë mediatike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe në krijimin e kushteve të drejta të punës, e jo të ndërmarrin veprime që mund të ushtrojnë presion financiar dhe profesional ndaj tyre. AGK-ja do ta përcjellë nga afër këtë proces dhe do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Kosovë”, përfundon reagimi.
















