Ekonomia Online
FUNDIT

Miftaraj paralajmëron rrëzimin e Ligjit për Specialen: Do të përfundojë në Kushtetuese në Hagë

Miftaraj paralajmëron rrëzimin e Ligjit për Specialen: Do të përfundojë në Kushtetuese në Hagë

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, shprehu bindjen se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk do të mbijetojnë nëse çështja dërgohet për shqyrtim në instancat gjyqësore në Hagë.

Miftaraj vlerësoi se miratimi i sërishëm i projektligjit në Kuvend nuk do të jetë i mjaftueshëm për ta bërë atë të qëndrueshëm juridikisht. Sipas tij, ekziston mundësia që Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ta kundërshtojë atë, ndërsa vendimi përfundimtar do të merrej nga Gjykata Kushtetuese e kësaj gjykate.

“Mendoj se ky Ligj nëse miratohet ditën e enjte, do të atakohet nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara në Hagë dhe do të jetë Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara në Hagë që në njëfarë mënyrë do të vlerësoj kushtetushmërinë. Jam shumë i sigurt që do ta rrëzojë sepse edhe përkundër asaj që e patëm këtë kohë shtesë, prapë se prapë nuk patëm debat, e as diskutime përmbajtësore me partnerët tanë ndërkombëtarë që t’i bindim që ta plotësojmë e ndryshojmë Ligjin. Me vetë faktin që e kemi në kor një reagim prej zyrës së BE-së, ambasadave kyç, po tregohet që ata e kanë ndarë mendjen që Ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese në Hagë”, deklaroi Miftaraj.

Ai theksoi se ndryshimet ligjore do të duhej të hartoheshin përmes një procesi më gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe detyrimet që Kosova ka marrë përsipër me themelimin e Speciales.

Sipas Miftarajt, do të ishte e mundur që disa dispozita të ligjit të gjenin mbështetje juridike, nëse gjatë hartimit të tyre do të arrihej një ekuilibër ndërmjet të drejtave të personave të akuzuar, standardeve të gjykimit të drejtë dhe interesave të viktimave.

Ai përmendi si shembull mundësinë e krijimit të një mekanizmi financiar për viktimat, ku Kosova do të ndante mjete nga buxheti i saj në rastet kur do të kishte një aktgjykim përfundimtar dënues.

“Nëse Dhomat e Specializuara e ndërtojnë standardin përmes së cilit vlerësohet ligjshmëria e ligjit, se sa i kufizon të drejtat dhe liritë e njeriut, mund të ketë dispozita që mund të ndryshojnë. Nëse Grupi Punues do e bënte një balancë mes vlerave të të pandehurve në procedurë, të sundimit të ligjit e procesit të drejtë dhe viktimave, ku do të parashihej që Republika e Kosovës do të ndante një buxhet për viktimat nëse kemi aktgjykim final dënues, jam i sigurt që do të bëhej një balancë e do të mund të qëndronin dispozita të caktuara të cilat në radhë të parë nuk do e cenonin operimin e Gjykatës Speciale”, deklaroi Miftaraj.

Debati për këtë projektligj është rikthyer në Kuvend pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka insistuar që të shfuqizohet vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula dhe të procedohet me versionin e miratuar më herët nga deputetët në dy lexime.

Presidentja e kishte kthyer më parë projektligjin në Kuvend, duke kërkuar rishikimin dhe përfshirjen e disa ndryshimeve në përmbajtjen e tij. Megjithatë, PDK-ja më pas kërkoi që të votohej sërish teksti paraprak, me arsyetimin që plotësimet të trajtoheshin përmes një procesi të mëvonshëm të amendamentimit.

Të ngjashme