Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka zhvilluar takime me eurodeputetët Lukas Mandl, Matjaž Nemec, Thijs Reuten dhe Adnan Dibrani, me të cilët ka diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Haxhiu takon katër eurodeputetë në Bruksel, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE

Përmes një njoftimi, Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimeve ka theksuar se Kosova nuk kërkon trajtim të veçantë, por një proces të drejtë dhe vlerësim të bazuar në meritë, me të njëjtat kritere që zbatohen për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ajo i ka falënderuar eurodeputetët për angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës, duke përmendur edhe reagimin e tyre lidhur me këngën e interpretuar në hapjen e Forumit të Zgjerimit, për të cilën eurodeputeti Lukas Mandl ka parashtruar edhe pyetje parlamentare.
Gjatë takimeve është diskutuar edhe për procesin e reformave evropiane dhe legjislacionin që Kuvendi po shqyrton në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes.
Haxhiu ka thënë se nga eurodeputetët ka kërkuar mbështetje që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të shqyrtohet në Këshillin e BE-së.
Po ashtu, ajo ka kërkuar angazhim pranë pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, eurodeputeti Thijs Reuten, i cili ka qenë raportues i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, e ka njoftuar Haxhiun për përpjekjet e tij edhe në këtë drejtim, ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit.












