Çuditërisht, apo, edhe paradoksalisht, Kosovës i bie më mirë nëse ky provokim ishte i qëllimshëm prej dikujt nga Komisioni Evropian, dhe që kështu, në mënyrën më publike të mundshme, ‘plasi sherri’.
Kështu, ky rrëfim do të mund të bëhet sebep që në Bruksel të ‘zbulohet’ sërish fakti që Kosova është shtet i pavarur që nga viti 2008, dhe që askush nuk mund ta ndryshojë këtë realitet.
E sa për këngë dhe çallgija, ato janë një dëshmi tjetër e injorancës politike.
Varianti i dytë është që në të vërtetë, e tëra është pasojë e një improvizimi të shpejtë në Komisionin Evropian, një tjetër dëshmi e ngathtësisë së Brulselit zyrtar, teksa me Kosovën, në përgjithësi (edhe me këtë melodi/ këngë që kinse duhet ta përfaqësojë Kosovën), nuk merret kush i lemë (si thuhet), në Komisionin Evropian.
Mirë, aty këtu na i thënë me një zë të mërzitshëm që ’Kosova ka perspektivë Evropiane’ (nuk mund të thuhet zatën që ’Kosova ka perspektivë Aziatike’), pastaj, për çdo vit na e përgatisin Raportin vjetor, etj.etj., por tej këtyre veprimeve rutinore, asnjë hap i vetëm në drejtimin e afrimit të Kosovës kah BE-ja nuk bëhet. Asnjë.
Kosova madje është harruar të ftohet fare në Forumin për zgjerim të Komisionit Evropian.
Teksa viteve të kaluara, kjo mosftesë është lidhur me masat ndëshkuese (lexo: sanksionet), të cilat Komisioni Evropian i ka aplikuar që nga vera e vitit 2023, këtë vit nuk ka pasur asnjë justifikim që Kosova të mos jetë e pranishme në Forumin për zgjerim. Asnjë.
Mbase, aty diku në Komisionin Evropian nuk është bërë përtërirja e të dhënave për raportin e BE-së dhe Kosovës, apo që më nuk ka masa dënuese ndaj Kosovës, sepse në ndërkohë ato janë hequr.
Gabim teknik. Ashtu disi. Apo, diçka tjetër. Kjo nuk do të merret vesh kurrë.
Në të vërtetë, pyetja kryesore në gjithë këtë kallëzim që sërish është lëndues ndaj nesh (me adresë të Brukselit), do të duhej të ishte ky: ’Cila është politika e BE-së ndaj Kosovës?’.
Apo edhe: ’A ka fare politikë BE-ja ndaj Kosovës?’.
Mirë, mirë, këtu tash nisin të dëgjohen zërat: ’Si nuk ka politikë BE-ja karshi Kosovës? Kosova mund të hyjë në BE në bazë të meritave. Reformat e brendshme duhet të përcjellen me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë’, etj.etj.
Dhe pastaj, si në përralla (në fundin e tyre), ’të gjithë do të jetojnë të lumtur’.
Por, Komisioni Evropian dhe BE-ja, në përgjithësi, nuk janë në gjendje ta pajisin Kosovën edhe me statusin e shtetit kandidat dhe aspirant për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, edhe pse Kosova ka aplikuar ta fitojë këtë status qysh në muajin dhjetor të vitit 2022.
Pra, para katër viteve të plota.
Pastaj, askush në Bruksel nuk mund të ofrojë garanca që edhe nëse ndodhë një mrekulli politike në trajtë të Marrëveshjes finale të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të ketë konsekuencë pozitive tek pesë shtetet mosnjohëse (Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), të cilat për politika dhe motive fare të veta, nuk i janë bashkuar 22 shteteve të tjera të BE-së në pranimin e realitetit në Kosovë.
Politika që sot është në fuqi në BE përballë Kosovës, prodhon politikë që është e tëra pafuqi në Kosovë.
Pafuqi kjo që pastaj shfaqet si frustrim i madh, si pakënaqësi, madje edhe si mllef.
Ndërsa përgjigjja mbizotëruese e Brukselit karshi këtyre ndjenjave dhe qëndrimeve kosovare është: ’Keni durim, se në fund do të bëhet mirë për ju...’.
E kur do të vie ky fund, këtë askush nuk e di.