Ekonomia Online
FUNDIT

Kelmendi pranon se në rastin e Arlinda Zekajt ka munguar plani individual

Kelmendi pranon se në rastin e Arlinda Zekajt ka munguar plani individual

Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar se në rastin e Arlinda Zekajt ka munguar plani individual, ndonëse hartimi i tij është obligativ. Ai po ashtu ka deklaruar se nuk ka bërë vlerësim të punës së zyrtarëve të përfshirë në këtë rast, raporton Ekonomia Online.

Kelmendi, i cili është punësuar në QPS në vitin 2018, është intervistuar të mërkurën nga Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ai tha se në shërbimin që udhëheq ka vetëm katër punëtorë dhe se për shkak të volumit të punës ka mungesë të stafit.

“Në shërbimin tim i kam vetëm katër punëtorë, për shkak të volumit kemi mungesë të punëtorëve. Së pari i kontrolloj dhe jam bashkëpunues me ta”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e pyeti nëse ligji kërkon hartimin e një plani individual dhe nëse një plan i tillë ishte përgatitur për rastin konkret.

Kelmendi u përgjigj se plani kishte munguar, ndonëse dokumentacioni ishte plotësuar në një formë tjetër dhe jo sipas standardit.

Ai foli edhe për mungesën e psikologes së QPS-së, e cila ishte në pushim të lehonisë.

“Po ka pasur, në rastin konkret ka munguar plani. Është obligative, 05 ka qenë i plotësuar, është plotësuar në një formë tjetër jo sipas standardit. Pasi ka përfunduar seanca kam marrë një telefonatë se seanca ka përfunduar për shkak se punëtorja ka munguar. Psikologia e qendrës është në pushim të lehonisë, kemi thirrur psikologen tjetër”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, e pyeti se për çfarë arsye rasti kishte përfunduar në Qendrën për Punë Sociale.

Kelmendi tha se rasti ishte raportuar si dhunë në familje dhe se vlerësimin e nivelit të rrezikshmërisë e bën Policia.

“Ka ndodhur rasti, është raportuar si dhunë në familje. Nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia, çdo informacion që e kemi ia bashkëngjisim, mbetet në vullnetin e punëtorit. E kemi planin e veprimit. QPS në momentin që raportohet rasti së pari i ofrohet siguria”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve që ishin nën përgjegjësinë e tij, në rastin konkret.

“Po, në rastin konkret jo”, u përgjigj Kelmendi.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi të dijë sa raste aktive të dhunës trajtohen nga QPS-ja në Pejë.

Kelmendi tha se janë 73 raste të dhunës, prej të cilave 50 janë aktive, ndërsa bëri të ditur se QPS-ja ka gjithsej 1 mijë e 150 dosje.

“Janë 73 raste të dhunës, aktive janë 50. Katër punëtorë i kemi aktivë. Kemi raportime javore të dokumentuara. 70 shërbime janë në QPS. Total 1150 dosje që kemi kryer shërbime aty ndahet secila kategori”, tha ai.

Gjatë intervistimit, Kelmendi bëri të ditur edhe se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj punëtorëve të përfshirë në rast.

Të ngjashme