Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, nënkolonel Remzi Azemi, ka mbajtur takim informues dhe koordinues me shefat e sektorëve dhe komandantët e stacioneve policore të rajonit, ku janë diskutuar prioritetet dhe sfidat e punës policore, si dhe përgatitjet për sezonin dimëror.
Policia e Ferizajt koordinon punën për sezonin dimëror, fokus siguria në trafik dhe dhuna në familje

Sipas njoftimit të Policisë, në takim është diskutuar për sigurinë në trafik, trajtimin e rasteve të dhunës në familje, luftimin e veprave penale kundër pasurisë dhe parandalimin e dukurive negative te të rinjtë.
“Gjatë takimit janë diskutuar prioritetet dhe sfidat e punës policore, përgatitjet për sezonin dimëror, siguria në trafik, trajtimi i rasteve të dhunës në familje, luftimi i veprave penale kundër pasurisë, si dhe parandalimi i dukurive negative te të rinjtë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Vëmendje e veçantë, sipas njoftimit, i është kushtuar sigurisë në shkolla, aktiviteteve vetëdijësuese, disiplinës dhe përgjegjësisë zyrtare, si dhe bashkëpunimit me institucionet lokale për përballimin e sfidave gjatë sezonit dimëror.
Në këtë takim është theksuar rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive policore, përcaktimit të detyrave konkrete dhe raportimit periodik për rezultatet e arritura.
Drejtori Rajonal, nënkolonel Remzi Azemi, ka theksuar rëndësinë e rritjes së efikasitetit policor, përgjegjësisë profesionale dhe angazhimit të përbashkët për garantimin e sigurisë publike.
“Drejtori Rajonal, Nënkolonel Remzi Azemi, theksoi rëndësinë e rritjes së efikasitetit policor, përgjegjësisë profesionale dhe angazhimit të përbashkët në funksion të garantimit të sigurisë publike dhe ofrimit të shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët e rajonit të Ferizajt”, thuhet në njoftim.















