Arsene Wenger ka vendosur të mos kandidojë përballë Gianni Infantinos në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s. Ish-trajneri legjendar i Arsenalit kishte shqyrtuar mundësinë për të garuar për postin e të parit të futbollit botëror, por sipas burimeve të “BBC Sport”, francezi ka vendosur të tërhiqet nga kjo ide.
Wenger tërhiqet nga gara për president të FIFA-s, Infantino drejt mandatit të katërt

Wenger aktualisht mban pozitën e shefit për zhvillimin global të futbollit në FIFA dhe konsiderohej si një kandidat që mund të kishte mbështetjen e UEFA-s, e cila ka kundërshtuar disa nga planet e Infantinos.
Tërheqja e tij shihet si një lajm pozitiv për Infantinon, i cili synon të sigurojë një mandat të katërt në krye të institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Ndërkohë, UEFA vazhdon të kërkojë një kandidat alternativ përballë presidentit aktual, para përfundimit të afatit të aplikimit të mërkurën.
Deri më tani, ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Ramon Vega, ka shpallur kandidaturën e tij, ndërsa edhe presidenti i nderit i Federatës Japoneze të Futbollit, Kozo Tashima, ka shprehur synimin për të garuar.
Megjithatë, Tashima ende nuk i ka siguruar pesë mbështetjet e nevojshme nga federatat anëtare për ta zyrtarizuar kandidaturën.
Nga ana tjetër, Infantino vazhdon të ketë mbështetje të madhe në Amerikën e Jugut, Afrikë dhe Azi, duke synuar vazhdimin e drejtimit të FIFA-s edhe për një mandat tjetër.

















