Sri-Lanka po i kërkon 140 persona të dyshuar për sulmet e përgjakshme

Prishtinë | 26 Pri 2019 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Sri-Lankës, Maithripala Sirisena, tha të premten se policia e vendit të tij është vënë në kërkim të 140 personave që dyshohet se janë të lidhur me Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për shpërthimet vetëvrasëse në kisha dhe hotele. Nga këto shpërthime vdiqën 253 njerëz.

Autoritetet kanë kërkuar nga besimtarët myslimanë të Sri-Lankës që të falen në shtëpi dhe të mos shkojnë në xhami për shkak të frikës nga organizimi i sulmeve me bomba si shenjë hakmarrjeje për sulmet e mëparshme.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu kërkoi nga qytetarët e saj që t’i shmangin vendet e lutjeve gjatë fundjavës pasi autoritetet raportuan se mund të ketë sulme tjera në qendrat fetare.

Rrugët e Kolombos, kryeqytetit të vendit, ishin të zbrazura të premten në mbrëmje pasi shumë njerëz kishin dalë më herët nga vendet e punës për shkak të masave të rrepta të sigurisë pas sulmeve vetëvrasëse me bomba në tri kisha dhe katër hotele.

Zyrtarët ushtarakë njoftuan se rreth 10 mijë ushtarë janë angazhuar në tërë shtetin për të kryer operacione të kërkimit dhe për të ofruar siguri në qendrat fetare. Policia deri tash i ka arrestuar 76 persona të dyshuar, disa prej të cilëve janë nga Siria dhe Egjipti, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme