​Stano: Më 2 maj do të prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit

Prishtinë | 28 Pri 2023 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se në takimin e 2 majit, në rend dite do të jetë miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe prezantimi i draftit të parë të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Ai ka folur disa ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Bruksel.

Stano nuk ka komentuar kritikat që liderët serb i kanë bërë për zgjedhjet lokale të mbajtura në veriun e Kosovës.

“Mund të them vetëm se si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë vërejtjet e ndryshme që vijnë nga të gjitha palët, por presim që takimi i nivelit të lartë të dialogut të mbahet të martën këtu në Bruksel. Ngase kjo është platforma ku çështjet diskutohen dhe shpresojmë që edhe të zgjidhen. Dhe meqenëse kjo është dita e fundit e punës para këtij takimi të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Bruksel, ndoshta do të ndaja disa detaje më shumë se çfarë presim dhe çfarë është në agjendën e takimit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se më 2 maj, palët do të mbajnë takim të nivelit të lartë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell si dhe atij special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

“Ky takim do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe pritet që palët të miratojnë deklaratën për personat e pagjetur si pikë të parë të rendit të ditës, dhe kjo do të pasohet nga prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe diskutimi rreth kësaj. Dhe pastaj do të ketë mundësi për të diskutuar të gjitha çështjet e tjera aktuale me rëndësi politike”, ka thënë Stano.

Në një konferencë për media, Stano ka thënë se nuk spekulojnë skenarë të mundshëm.

“BE-ja si lehtësues po përpiqet t’i ndihmojë të dyja palët që të arrijnë progres dhe të lëvizin në procesin e dialogut për të përmbushur zotimet e tyre, sepse Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga gjërat për të cilat tashmë është rënë dakord. Pra, duhet të zbatohet si shumë gjëra të tjera që janë rënë dakord dhe duhet të zbatohen. Pra, ne do të ecim përpara, do të përparojmë, ose të paktën do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar të dyja palët që të bëjnë përparimin e nevojshëm drejt zbatimit dhe drejt ecjes përpara në dialog”, ka shtuar ai.

Takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të mbahet më 2 maj në kryeqendrën evropiane.

Kjo vjen pasi një muaj më parë palët janë takuar në Ohër ku janë dakorduar për aneksin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Të ngjashme