Stinori në Serie A mund të përfundojë më 12 korrik

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Stinori në Serie A të Italisë ka gjasa të përfundojë deri më 12 korrik, shkruan “Corriere dello Sport”, transmeton Koha.net.

Sportet gati në gjithë botën janë pezulluar për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Italia është një nga vendet që është goditur më së rëndi nga koronavirusi.

Klubet e Serie A po pritet t’i kthehen stërvitjeve më 4 maj dhe ndeshjet ka gjasa të nisin më 31 maj. Nëse nisin më 31 maj atëherë kampionati pritet të mbyllet më 12 korrik. Po ashtu pritet që ndeshjet të luhen pa shikues deri në janar të vitit të ardhshëm. 

Në Itali kufizimet janë vazhduar deri më 3 maj, ndërsa rastet e reja me koronavirus po vazhdojnë të bien, ndërsa numri i të vdekurve po sillet nga 550 deri në 600 në ditë.

Gazeta italiane “Corriere dello Sport” raporton se klubet do të tentojnë të marrin leje që nga 27 prilli lojtarët t’i nënshtrohen testeve intensive fizike dhe mjekësore, për të siguruar që lojtarët janë të sigurt dhe shëndetshëm.

Kjo do të mundësojë që lojtarët të jenë në dispozicion të kthehen në fund të majit e të përfundohet më 12 korrik. Sa i përket Kupës së Italisë mund të shtyhet deri në stinorin e ardhshëm. 

UEFA është duke e shqyrtuar idenë që të organizojë turneu “Final Four” apo “Final Eight” në një vend neutral për të përfunduar garat në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Trajneri i Sassuolos, Roberto De Zerbi ka propozuar që të lejohen pesë zëvendësime në ndeshjet në Serie A, kur të rinisin garat. 

“Zakonisht skuadrat bëjnë stërvitje intensive për gjashtë javë para se të nisë stinori, e më pas luajnë një herë në javë. Kësaj radhe ne do të luajmë çdo tri ditë. Do të ishte inteligjente të ndajmë skuadrën në dy grupe, që të mos lodhen. Një zgjedhje tjetër e mençur është ideja e lejimit të pesë zëvendësimeve në ndeshje, pasi shton më tepër kualitet dhe ndihmon të parandalohen lëndimet”, ka thënë De Zerbi për “Radio Deejay”. 

Të ngjashme