Stridar Kosovo prezanton SideRunner, nis prodhimi i automjetit tokësor pa pilot në Kosovë

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Kompania Stridar Kosovo ka prezantuar zyrtarisht platformën SideRunner, një automjet tokësor pa pilot (UGV) me përdorim të dyfishtë, duke shpallur njëkohësisht fillimin e prodhimit të tij në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Sipas deklaratës së kompanisë, SideRunner është rezultat i një partneriteti strategjik ndërmjet Stridar Inc. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Stridar Kosovo LLC, me synim bashkimin e inovacionit amerikan me kapacitetet inxhinierike dhe prodhuese të Kosovës.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kosova do të ketë rol kyç në prodhimin dhe eksportin e platformës për klientë në Evropë, SHBA, Lindjen e Mesme dhe tregje të tjera ndërkombëtare.

Kompania njofton se SideRunner është zhvilluar dhe përmirësuar vazhdimisht bazuar në përvojat dhe komentet e njësive ukrainase, përdoruesve ndërkombëtarë dhe testimeve të realizuara së bashku me Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, duke u përshtatur me kërkesat reale operacionale.

Platforma është projektuar për të mbështetur misione të mbrojtjes dhe sigurisë, operacione policore, reagime emergjente, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, inspektime industriale, si dhe operacione kërkim-shpëtimi.

Sipas Stridar Kosovo, fillimi i prodhimit të SideRunner përfaqëson një moment të rëndësishëm për industrinë teknologjike të Kosovës, duke e pozicionuar vendin jo vetëm si konsumues, por edhe si zhvillues, prodhues dhe eksportues të teknologjisë së avancuar.

Prezantimi publik i SideRunner u zhvillua në kuadër të festimeve Freedom250, të organizuara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë me rastin e 250-vjetorit të SHBA-së.

Të ngjashme