Studentët e drejtimit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT kanë dëgjuar një ligjëratë tematike për energji efiçiente nga Stephan Pinkau, profesor në Shkollën profesionale të arkitekturës “Bauhaus”, pjesë e Anhalt University, në qytetin Dessau të Gjermanisë.
Gjatë kësaj ligjërate, studentët u informuan përmes shembujve me mënyrën e projektimit dhe të përdorimit të fasadave, si materialet më adekuate për shkëmbim energjetik, të cilat përdoren në Gjermani.
Krahas kësaj, ai i njoftoi inxhinierët e rinj edhe me rëndësinë dhe me punën e kryer në kuadër të projektit Tempus, pjesë e të cilit ishin UBT, Universiteti i Prishtinës, Universiteti Polis, Universiteti i Podgoricës dhe Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”.
Projekti Tempus, ndër tjerash përfshin edhe hartimin e kurrikulave për programin e energjisë efiçente.
Në fund të ligjëratës, studentët patën mundësi të komentojnë dhe të shtrojnë pyetje në lidhje me mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të këtij drejtimi, por edhe të marrin njohuri të reja mbi fushën e energjisë efiçiente dhe përdorimin e saj në Gjermani.
Krahas ligjëratës tematike me studentët e nivelit bachelor, profesori Pinkau organizoi dhe udhëhoqi edhe një ligjëratë dhe punëtori me studentët e nivelit master, me ç’rast është trajtuar tema më titull “Efiçienca e energjisë”.
Gjatë punëtorisë, studentët kanë pasur mundësi të bëjnë eksperimente në objektet përreth UBT-së, përmes aplikimit të njohurive teorike dhe praktike në fushën e energjisë efiçiente, të fituara gjatë ligjëratës.