Muaji tetor njihet ndërkombëtarisht si muaji për ndërgjegjësim mbi sëmundjen e kancerit të gjirit, dhe për të ndihmuar në shënimin e këtij aktiviteti, studentët e Infermierisë në UBT, realizuan takim me qytetarët e moshave madhore dhe u dhanë atyre këshilla profesionale në formë leksioni oral dhe një broshurë për simptomat e para të kësaj sëmundje.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm, studentët patën mbështetje edhe nga drejtori i Shkencave Mjekësore në UBT, Fitim Alidema dhe nga Merita Barani, të përkrahur edhe nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, “Fehmi Agani“, në Prishtinë.
Këshilla për zbulimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit nga Fakulteti i Infermierisë në UBT
Kanceri i gjirit prek më shpesh femrat mbi moshën 50 vjeçare, por kohëve të fundit vihet re një tendencë e prekjes me kancer të gjirit edhe tek moshat më të reja. Tek ne, në Kosovë, ende nuk ka filluar të vërehet përmirësim në zbulimin e kancerit të gjirit në fazat e hershme.
Çdo femër mund të preket nga kanceri i gjirit . Por, një femër duhet të jetë edhe më e kujdesshme në kontrollin e gjinjve nëse:
– Nëna, motra apo gjyshja e saj, kanë pasur kancer të gjirit;
– Janë mbi moshën 40 vjeçare, sepse rreziku rritet me moshë;
– Cikli menstrual u ka filluar para moshës 12 vjeçare apo menopauza pas moshës 50, gjegjësisht 55 vjeçare;
– Nuk kanë lindur fëmijë ose kanë lindur fëmijën e parë mbi moshën 30 vjeçare, si dhe nëse nuk e kanë ushqyer fëmijën me gjinj, janë mbipeshë, pinë duhan dhe alkool, konsumojnë ushqime të pasura me yndyra shtazore dhe nëse nuk merren me aktivitet fizik.
Sot, kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses nëse zbulohet me kohë.
Shumë gra janë sot në jetë sepse kanë bërë kontroll të rregullt për kancer të gjirit.
Metodat për të zbuluar herët kancerin e gjirit janë: vetëkontrollimi mujor i gjinjve, ekzaminimet e rregullta klinike tek mjeku profesionist për sëmundje të gjirit, Ultrazëri dhe Mamografia.