Studentët dhe alumni i UBT-së, bënë që gara “Albanian ICT Awards”, t’i kthente sytë nga Kosova dhe të vlerësonte inovacionet që kanë ardhur prej tyre, për të cilat edhe u vlerësuan maksimalisht nga juria e këtij edicioni.
Produktet dhe projektet e studentëve të UBT-së dominuan jo vetëm me nominime, por edhe me fitimin e çmimeve në disa kategori.
Çmimin “ICT Diploma e vitit” e mori njëri ndër studentët më të dalluar të UBT-së, Hakan Shehu, e mentoruar nga profesori Bertan Karahoda, transmeton Ekonomia Online.
Në po të njëtën kategori ishte e nominuar edhe studentja e SHKI-së, Blerona Cakolli, me diplomën e përfunduar nën mentorimin e profesorit Zhilbert Tafa.
“UBT është institucion që fokus të veçantë i kushton zhvillimit profesional të grave, e këtë e dëshmoi edhe këtë herë, me ç’rast në kategorinë “Femra në ICT” triumfoi ish-studentja e UBT-së, Hana Qerimi, e cila e ka krijuar dhe po e drejton Shkollën Digjitale, me qëllim të edukimit dhe orientimit të fëmijëve dhe të të rinjve drejt teknologjisë”, thuhet në një komunikatë nga UBT.
Sipas komunikatës dominim absolut i studentëve të UBT-së u pa edhe në kategorinë “Siguria Kibernetike”, ku të tre finalistët janë produkte të UBT-së.
Të nominuar ishin hakerët e bardhë nga UBT, Blent Kurtalani dhe Veton Bejtullahu, Edi Bushati, ndërkaq çmimi shkoi në duart e studentëve Kastriot Fetahaj dhe Fitim Latifaj.
Edhe në kategorinë “Shërbimi Publik i vitit”, të dy grupet finaliste në përbërje kishin ish-studentë të UBT-së.
Si kontribues i madh dhe anëtar i jurisë së këtij edicioni, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, gjatë ndarjes së çmimit për kategorinë “Mobiliteti i vitit”, i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për prurjet inovative të këtij viti.
Në veçanti, ai shprehu mirënjohje për studentët e UBT-së, të cilët, sipas tij, po japin kontribut të madh për zhvillimin e teknologjisë në trojet shqiptare.
“Kjo garë e madhe edhe kësa here tregoi se cilësinë e punës dhe lidershipin që ka UBT në fushën e inovacionit, ndërmarrësisë dhe ICT-së”, tha Hajrizi, duke premtuar se vendet shqipfolëse dhe bota do të kenë çfarë të presin nga studentët e institucionit të cilin ai e drejton.
Edicioni i sivjetmë i “Albanian ICT Award” mblodhi dhe pranoi mbi 100 aplikacione dhe përzgjedhja e më të mirave u bë nga 11 anëtarët e jurisë.
Kategoritë në të cilat u ndanë çmime ishin: ICT Inovacioni i vitit, ICT Diploma e vitit, ICT Ylli në Ngitje, Femra në ICT, ICT Shërbimi Publik i vitit dhe Siguria Kibernetike.