Studentët e vitit të parë të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, të hënën, më 20 mars, kanë vizituar RTK-në, të vetmin transmetues publik në vend, me ç’rast u pritën nga redaktori i redaksisë së programeve argëtuese, Xhevdet Sfarça.
Sfarça i njoftoi studentët rreth historikut dhe sfidave të RTK-së, pastaj me mënyrën e funksionimit e të organizimit të këtij mediumi, si dhe me ambientet e punës.
Duke folur për rëndësinë e vizitave studimore nëpër mediume, ai u tha studentëve se vizitat që po i bëjnë nëpër media, u ndihmon atyre që të shohin nga afër natyrën e punës, organizimin, si dhe ndarjen e detyrave ditore nëpër redaksitë e ndryshme.
“Është një ide shumë e mirë që në planprogramin e tyre mësimor, Fakulteti i Medias dhe Komunikimit ka paraparë edhe vizitat në medie e institucione të ndryshme, për të parë nga afër se si punohet në sektorin e informimit dhe të komunikimit me publikun”, theksoi Sfarça.
Studentët e këtij drejtimi edhe më parë kanë vizituar shtëpi mediale, teksa edhe më tutje ata do të vazhdojnë të vizitojnë mediume televizive, portale e gazeta vendore.