Infermieri i Spitalit të Prizrenit, Naim Stupa, është sulmuar fizikisht në vendin e tij të punës.
Sulmi ka ndodhur nga babai i një pacienti.
Kryetar i Sindikatës se Spitalit në Prizren, dr. Shkëlzen Krasniqi tha se infermieri është sulmuar fizikisht pa ndonjë arsye.
“Pacienti ka ardhur me një udhëzim pa emër e mbiemër dhe pa shënime përkatëse për të bërë një radiografi”, tregon ai për “PrizrenPress”.
“ Kjo ka qenë arsyeja e vetme pse infermieri ka kërkuar që t’i jepen shënimet personale”.
“Kurse përcjellësi, babai i pacientit i ka thënë “këqyr kryej t’i punën e mos kërko shënime tjera dhe mandej papritur e ka sulmuar fizikisht duke e goditur ne pjesën e syrit infermierin “, tregon ai.
Sipas tij, infermieri ka marrë lëndime trupore.
“Infermieri i sulmuar është me përvojë mbi 30 vjeçare dhe është i njohur për sjellje korrekte”.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj ka konfirmuar sulmin fizik ndaj infermierit të Spitalit të Prizrenit.
“Sulmuesi është arrestuar dhe ndalur nga policia”, tha Osmanollaj për “PrizrenPress”.
Kryetar i Sindikatës se Spitalit në Prizren, dr. Shkëlzen Krasniqi, kërkon ndërkaq nga organet e drejtësisë që të marrin masa dhe të parandalojnë sulmet fizike ndaj mantelbardhëve.
“Kërkojmë edhe nga qytetarët që të tregojnë sjellje korrekte me punëtorët e shëndetësisë”, shprehet ai.