Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka folur në hollin e Kuvendit të Kosovës lidhur me zhvillimet rreth procesit për zgjedhjen e presidentit, duke kundërshtuar vazhdimin e seancës dhe duke akuzuar qasjen e qeverisë për përjashtuese dhe jo-unifikuese, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se si grup parlamentar vlerësojnë se seanca e dytë nuk duhet të mbahet fare, duke e cilësuar atë si të dëmshme për institucionet e vendit.
“Për ne si Grup Parlamentar, mendojmë se seanca e dytë as nuk duhet të mbahet e as nuk duhet të nisë. Për shkak se kjo seancë përfaqëson një vazhdim të sulmit ndaj institucionit më të lartë të Republikës së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, vendit ku ulen përfaqësuesit e popullit, të zgjedhur nga qytetarët e Kosovës. Nuk duhet dhe nuk do të lejojmë që të rrezikohet dhe të dëmtohet më tej rendi kushtetues. Nuk mundet dhe nuk duhet të legjitimohet logjika “parti-shtet”, për shkak se ne nuk jemi në një sistem monist, njëpartiak, por jemi në një demokraci parlamentare e cila kërkon vetëdije dhe përgjegjësi demokratike.
Demokracia nuk funksionon mbi imponim, por mbi diskutim, mbi marrëveshje, mbi kompromis dhe konsensus dhe respekt ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se procesi nuk ka qenë gjithëpërfshirës dhe ka rezultuar përjashtues.
“Dje, kryeministri Kurti gjatë e përdori foltoren e Kuvendit për një diskutim politik brenda partisë. Ai foli edhe për tre emra të cilët do të ishin unifikues. Megjithatë, qytetari i Kosovës e pa qartë se ai as nuk u konsultua me partitë të cilat i thërriste për diskutim, as nuk diskutoi me to, por në mënyrë arbitrare i solli në Kuvend dy emra të tjerë. Kjo qasje vetëm unifikuese nuk është. Kjo qasje është përjashtuese. Ne si subjekt politik besojmë se Kosova meriton më shumë”, u shpreh Tahiri.
Në këtë kontekst, Tahiri ka propozuar tërheqjen e kandidates Feride Rushiti, duke e lidhur procesin me, siç tha ai, dëmtim të rendit kushtetues.
“Propozimi ynë i parë është që doktoresha Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi të mundimshëm politik, i një procesi i cili është duke e rrënuar rendin kushtetues. Pamë bukur qartë se nga votat e tepër të vështira, nuk kemi të bëjmë as me unifikim, as me diskutim, por kemi të bëjmë me përjashtim.
Kosova ka njerëz, Kosova mund të zgjedhë dhe mund të këtë zgjidhje“, thotë ai.
