Tahiri përkujton Ditën e Dëshmorëve të Deçanit: Lavdi e përjetshme

Prishtinë | 05 Maj 2026 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të Manifestimit Përkujtimor të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Deçanit, ish deputeti Besnik Tahiri ka ndarë emocionet dhe përjetimet e tij gjatë homazheve të zhvilluara në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë.

Tahiri e cilësoi këtë përvojë si një nga momentet më të ndjera dhe më krenare, duke theksuar se takimet dhe shtrëngimet e duarve me familjet e dëshmorëve të UÇK-së mbeten ndër përjetimet më të forta emocionale.

“Janë ato çaste që të mbushin me ndjenjë nderi dhe të bëjnë krenar që je shqiptar i Kosovës,” u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për sakrificën e dëshmorëve.

Ai shtoi se lufta për liri përfaqëson një nga vlerat më të mëdha të kombit shqiptar, ndërsa familjet e dëshmorëve, sipas tij, janë të shenjta dhe meritojnë respekt dhe përulje të përhershme nga të gjithë.

Në fund, Tahiri bëri thirrje që kujtimi për dëshmorët të mbetet i gjallë ndër breza, duke përfunduar me mesazhin: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”

Të ngjashme