Tahiri: Procesi për presidentin është manipulim politik, mungojnë votat dhe dialogu

Prishtinë | 28 Pri 2026 | 21:06 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka kritikuar zhvillimet politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke i cilësuar ato si manipulim të opinionit publik, raporton Ekonomia Online.

Tahiri deklaroi se AAK nuk do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, “shkatërrimit të rendit kushtetues” dhe një procesi që nuk përfaqëson demokraci të mirëfilltë.

“Dhe ne nuk do të bëhemi pjesë e një shkatërrimi të rendit kushtetues, e një spektakli publik me politikë, i cili po zgjat tash e katër muaj rresht. Pra, jemi këtu, në Kuvend, në zyrat tona, duke e përcjellë me shqetësim të madh, por në të njëjtën kohë edhe me përgjegjshmëri politike si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës. Ne nuk bëhemi pjesë e një procesi i cili veç emrin ‘demokraci’ dhe ‘zgjedhje të Presidentit’ nuk e ka. Emrin e ka manipulim politik i opinionit publik.

Ne nuk duam që të jemi pjesë e krejt këtij komploti që po i bëhet shtetit. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment. Po të kishte dashur Albin Kurti me zgjedh president, ai do t’ia kishte dhënë mundësinë për diskutim kandidatit të opozitës, se nuk i ka numrat. Pra, po flet për numra, po ai nuk i ka tetëdhjetë vota.

Dhe duke mos i pasur këto tetëdhjetë vota, emrat duhet me ardhë prej opozitës, emrat duhet me u diskutu, dhe emrat e kandidatëve dhe kandidatit nuk duhet me u marrë vesh prej zgjedhjes, prej mediave, po vjen prej një burimi serioz, të një diskutimi të sinqertë, në rrethana shumë të vështira në të cilat po kalon vendi.

Lëre poshtë për nënshkrimin… Që ku është zyra, që ku është Lidhja Demokratike e Kosovës, që ku është Lëvizja Vetëvendosje. Qysh flet një Kryeministër, dikush që don me i dhënë një zgjidhje Kosovës, përmes mediave që janë poshtë e nuk ngjitet një kat më nalt me gjetë formën e komunikimit politik?”, u shpreh ai.

Ai shtoi se AAK nuk ka qenë e përfshirë në asnjë diskutim lidhur me këtë proces, por theksoi se partia e tij ka treguar përgjegjësi në çështje të rëndësishme shtetërore.

“Kjo nuk është asgjë tjetër, vetëm një tendencë me kçyr me i gjuajt fajet herë në njërën anë, herë në anën tjetër. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka qenë e ftuar në asnjë diskutim. Por në asnjë moment dhe në asnjë situatë nuk i ka ikë vetes nga përgjegjësia për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, për çdo argument politik. Dhe ne, në këto rrethana, qëndrojmë këtu, në vendin tonë, në besimin tonë, si një parti serioze, shtetformuese”, tha ai.

Të ngjashme