Takimi në Washington mundësi që të eliminohen barrierat, marrëveshja të jetë obliguese për palët

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 10:49 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është paralajmëruar të mbahet më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, pritet të jetë një hap drejt një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve.

Por ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online thotë se Kosova duhet të kërkojë nga ShBA-ja që projektet të konkretizohen dhe mbi të gjitha të eliminohen barrierat të cilat janë panumërta edhe 21 vjet pas luftës.

Tutje ai tha se Kosova ende është në pikën zero, duke shtuar se është koha kur duhet të ketë një marrëveshje e cila do t’i obligojë palët për të zbatuar atë që nënshkruhet.

“Është në fazë finale me faktin që edhe politika evropiane dhe Washingtoni janë të lodhur. Kemi 21 vjet pas luftës dhe ende jemi në pikën zero. Prandaj mendoj se është koha kur duhet të kemi një marrëveshje  obliguese e cila do t’i obligojë palët për të zbatuar atë që nënshkruhet”.

“Në këtë drejtim besoj që Kosova duhet të përgatitet që me 4 shtator do të jetë një marrëveshje pak më ndryshe ku duhet të kërkojmë nga ShBA-ja që ato projekte do të konkretizohen dhe mbi të gjitha do të eliminohen barrierat të cilat janë panumërta edhe 21 vjet pas luftës”.

Ai foli edhe për mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është aq e rrezikshme, dhe në këtë mënyrë po mban peng Ballkanin Perëndimor.

“Mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është aq e rrezikshme saqë po mban peng Ballkanin Perëndimor. Sa më shpejt të që zgjidhen këto probleme qoftë ekonomike apo politike nuk do të jemi shtete për ikur por do të jemi shtete për krijuar dhe për të kthyer besimin. Është koha për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ftesën për takimi ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq, e ka bërë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein, raporton EO.

Siç është thënë, në këtë takim pritet që të diskutohet për përparimin e çështjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar këtë si hap të parë drejt përparimit në procesin e paqes.

Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë tema kryesore, për të cilën kanë biseduar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me liderët e tri partive të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Të ngjashme