Pas vendosjes së taksës doganore 100 për qind më 21 nëntor 2018, ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, produktet serbe në drejtim të Kosovës kanë pasur përgjysmim të importeve, ndërsa produktet nga Shqipëria janë rritur për 54 për qind.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në raportin “Pasqyra makroekonomike, tetor-dhjetor 2018”, për këtë periudhë ka pasur rënie të importeve të mallrave nga Serbia në masën prej 51 për qind.
Importi i mallrave gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018 ka vazhduar të ketë trend rritës, duke shënuar rritje prej 6.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa sa i përket vendeve, Gjermania, Turqia dhe Kina janë tre vendet me pjesëmarrjen më të lartë të importit në Kosovë.
“Në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, Serbia ka qenë vendi me pjesëmarrjen më të lartë në importet e mallrave në Kosovë. Rënia vjetore e importeve me origjinë nga Serbia me rreth 51 për qind në tremujorin e katërt të 2018-së është kompensuar nga rritja e importeve me origjinë nga vendet e tjera, si Sllovenia me rritje prej 101 për qind, Shqipëria me rritje prej 54 për qind, Turqia me rritje prej 22 për qind, Kina me rritje prej 15 për qind dhe Maqedonia me rritje prej 17 për qind”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave, shkruan Telegrafi.
Rritja e importeve gjatë tremujorit të katërt i atribuohet rritjes së të gjitha kategorive të importit, me përjashtim të kategorisë “ushqime të përgatitura, pije dhe duhan”, e cila ka shënuar rënie vjetore me rreth 3.5 për qind.
Për sa i përket eksporteve gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, ato kanë shënuar rritje prej 9.5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të mëparshëm.
“Vihet re se eksporti me Serbinë dhe me Malin Zi ka rënë, ndërkohë që eksporti me vendet e tjera, veçanërisht me Shqipërinë, Indinë, Gjermaninë dhe Zvicrën është rritur gjatë periudhës raportuese”, theksohet në raport.
Eksportet e metaleve bazë dhe eksportet e produkteve të plastikës dhe gomës janë kategoritë që janë rritur me rreth 17.7 për qind përkatësisht 26.7 për qind, ndërkohë, eksportet e produkteve minerare kanë shënuar rënie vjetore prej 32.7 për qind gjatë periudhës raportuese.
Gjatë tremujorit të katërt të 2018-së rreth 71.2 për qind e eksporteve kosovare u destinuan në shtetet e CEFTA-së dhe të BE-së.
“Eksporti i shërbimeve për këtë periudhë është rritur me 12.7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kryesisht si rezultat i shërbimeve të ndërtimit, të shërbimeve të biznesit, të shërbimeve kompjuterike dhe informatike dhe shërbimeve të transportit, ndërkohë që shërbimet e udhëtimit kanë shënuar rënie vjetore. Importi i shërbimeve gjithashtu ka shënuar rritje vjetore gjatë periudhës tetor-nëntor 2018 me rreth 18.1 për qind, si rezultat i rritjes së shërbimeve të biznesit, të shërbimeve kompjuterike, informatike dhe telekomunikacionit dhe shërbimeve të transportit”, përfundon raporti, shkruan Telegrafi.
Në fund, si rezultat i zhvillimeve në importe dhe eksporte të mallrave dhe shërbimeve, bilanci tregtar gjatë muajve tetor-nëntor 2018 shënoi vlerën prej minus 473.4 milionë euro ndërkohë që ky bilanc në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte minus 431.8. milionë euro.