Taksa rrit çmimet e produkteve, konsumatorët dhe shitësit me mendime kundërthënëse

Prishtinë | 18 Gus 2019 | 08:29 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës, çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë, muajve të fundit kanë shënuar ngritje për 2.6 për qind.

E kjo ngritje e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, por edhe higjienike,  po ndikon në xhepin e konsumatorëve në vend.

Ekipi i Ekonomia Online ka vizituar “Tregun e Gjelbër” në kryeqytet, ku ka intervistuar blerësit, por edhe shitësit.

Qytetari Shaban Haxholli, i cili kishte dal për të bërë blerjet e përditshme, thotë se çmimet e artikujve të përditshëm ushqimor janë rritur.

Ai thotë se përveç këtu në tregun e qytetit, çmimet janë rritur edhe në dyqanet tjera në kryeqytet.

“Si jo, gjithkund janë rritur çmimet, problemi këtu është tek papastërtia”, thotë ai. 

Përveç ngritjes së çmimeve, “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë, po ballafaqohet edhe me kushte jo të mira sanitare dhe higjienike.

Konsumatorët dyshojnë se në këtë treg mund të ketë ushqime të pasigurta, sidomos ato të bulmetit.

“Problemi është rruga ku janë duke shit, djathi  bulmeti të shitet nëpër rrugë nëpër pluhur nuk është  në rregull. Duhet të ju bëhet vendi këtyre njerëzve që të kenë ku t’i sheshin produktet e tyre si duhet jo nëpër pluhur”, thotë ai.

Kurse tregtarët e këtushëm thonë që nuk ka ngritje të çmimeve dhe se produktet që ata i shesin janë të sigurta për t’u konsumuar.

“Këtu tek ne në treg që jemi në “Tregun e Gjelbër”  në Prishtinë  nuk ka ndryshime, disa artikuj po por disa jo. Produktet e Kosovës 90 % janë të sigurta. Taksa nuk ka ndikuar asgjë. Ndoshta ndonjë artikuj, por pak, se këtu shumica e artikujve  që vinë pemë, perime nuk vinë prej Serbisë vinë prej Maqedonisë dhe  Shqipëria”, thotë Skënder Tërstena Shitës në “Tregun e Gjelbër”.

E një tregtar tjetër po thotë se çmimet nuk janë rritur, përkundrazi ato kanë rënë.

Edhe ky thotë se këta artikuj që shiten këtu janë të sigurt për konsumim.

 “Mua nuk ma merr mendja që janë ngritur por përkundrazi, por kanë rënë çmimet. Domatet kanë  qenë 70-80 cent ka rënë në 50 centë, borania ka qenë 2 euro ka rënë në  1,20 euro. Patatet janë shumë lirë 5 kg 1 euro. Të gjitha janë produkte vendore për momentin nuk ka produkte të huaja veç produkte tona, nga Prizreni  dhe nga katundet tona të rrethinës. Janë të sigurta pasi vinë si të gjelbra dhe ato piqen ato që i ka rrokë sëmundjet nuk piqen”, thotë për EkonomiaOnline, Bajram Ramadani, shitës në “Tregun e Gjelbër”.

Por ndryshe po mendon Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online thotë se ka ngritje të çmimeve të produkteve dhe në këtë ngritje ka ndikuar edhe taksa ndaj mallrave me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Për këtë Kaçaniku i fajëson edhe tregtarët, pasi sipas tij, shumica e produkteve që shiten në tregje janë vendore dhe është e pakuptimtë që të rriten çmimet.

“Natyrisht se ka, ndikimet janë shumë të llojllojshme. Ndikimi i parë është  natyrisht stina disa artikuj që nuk janë të stinës gjithmonë kanë lëvizje të çmimeve në këtë kohë, për fat të keq edhe artikujt e stinës kanë lëvizje. Kjo arsye është sepse dihet një përqindje sado të vogël ose të madhe e edhe taksa por është e pakuptimtë që produktet vendore të cilat nuk asnjë imput nga jashtë poashtu ka ngritje çmimesh gjë që na bënë të dyshojmë  se fjala është për një marrëveshje ose keqpërdorim të tregut”, thotë ai.

Kaçaniku është shprehur se Qeveria dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duhet ta mbajnë premtimin që nuk do të ketë ngritje të çmimeve, pasi konsumatorët janë lodhur me premtime boshe.

“Në këtë rast atë që na ka premtuar Qeveria dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  ata duhet ta dëshmojnë, ne jemi lodhur nga premtimet  nga llafet boshe çdo fjalë të tyre e marrim me seriozitetin maksimal dhe presim që ata të reflektojnë dhe ta zbatojnë premtimin që ndryshime çmimesh nuk do të ketë”, thotë ai.

Kaçaniku u bën thirrje tregtarëve që të mos i ekspozojnë mallrat në diell dhe të shtojnë kujdesin dhe higjienën, ngase mund të pësojnë konsumatorët.

“Asnjë produkt mos ta blejmë mos ta marrim qoftë edhe falë nëse nuk e shohim edhe vizuelisht se çdo gjë  është në rregull, dhe temperaturat e larta sado të larta jo vetëm këto tropike që janë artikujt ushqimorë që vendosen u afrohen rrezeve të diellit në dritë të fortë ato pësojnë sado pak ndryshime fiziko-kimike të cilat ndikojnë në cilësinë në përbërësit dhe ndikojnë në shijen, nëse është kohëzgjatja e madhe mund të jenë edhe të rrezikshme për shëndet”, përfundon ai.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar mori vendim të vendosë taksën 100 % produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina si përgjigje për bllokimin e Shtetit të Kosovës në mekanizma të ndryshëm rajonal dhe ndërkombëtarë.

Por që në vazhdimësi shprehej e bindur se vënia e kësaj takse nuk do të ndikojë në xhepin e qytetarëve.

Të ngjashme