Të burgosurit ankohen për kushte jo të mira në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Prishtinë | 06 Gus 2019 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, ka publikuar një raport që i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) realizuar më 20 maj 2019.

Sipas njoftimit për media, thuhet se qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të burgosurit e akomoduar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren (QPP), të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve, si dhe zbatimi i rekomandimeve të MKPT-së të dërguara autoriteteve kompetente përmes Raportit me rekomandime për vizitën në QPP, më 31 tetor 2017, i publikuar më 25 janar 2018.

“Gjatë vizitës në QPP realizuar nga MKPT-ja, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve i kanë ofruar ekipit monitorues bashkëpunim të plotë. MKPT-ja ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të burgosurish dhe nuk ka marrë asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo për përdorim të tepruar të forcës fizike të ushtruar nga zyrtarët korrektues. Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se, në disa raste, hapësirat e banimit për të burgosurit nuk janë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe as me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës. MKPT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të mjeteve higjienike. Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se dushet, në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, nuk ishin në gjendje të mirë higjienike dhe as teknike”, thuhet në raport.

Sa i përket regjimit, MKPT-ja ka vërejtur se të dënuarit angazhohen në punë për pastrim, në kuzhinë dhe për mirëmbajtje të caktuara të objektit. Të dënuarit kanë mundësi të dalin në shëtitje gjatë gjithë kohës, dyert i kanë të hapura prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes. Përpos shëtitjes, ata kanë në dispozicion një tavolinë ping-pongu, lojën e shahut dhe letra domino.

“Shërbimet shëndetësore në QPP ofrohen nga Njësia Shëndetësore e Departamentit Shëndetësor në Burgje (DShB), e cila funksionon në kuadër të QPP-së, që, sipas nevojës dhe rekomandimit të mjekut, shërbimet shëndetësore ofrohen edhe në institucione tjera publike shëndetësore. MKPT-ja nuk ka marrë ankesa nga të burgosurit përkitazi me shërbimet mjekësore të cilat u ofrohen në këtë qendër. Megjithatë, gjatë vizitës, MKPT-ja ka vërejtur një praktikë shqetësuese, e cila ka të bëjë me marrjen e mostrave të gjakut, të cilat vendosen në epruvetë e pastaj infermieri apo zyrtari korrektues i dërgohen në laboratorin e qendrës së mjekësisë familjare. Sa i përket konfidencialitetit të shërbimeve mjekësore, MKPT-ja, bazuar në intervistat e zhvilluara me të burgosurit dhe me personelin shëndetësor, konstaton se këto shërbime jepen nën kushte të cilat e respektojnë konfidencialitetin”, thuhet tutje në raportin e Avokatit të Popullit.

Gjatë vizitës, MKPT-ja ka vërejtur se kontakti i të burgosurve me botën e jashtme mbetet në nivel të kënaqshëm dhe hapësirat ku pranohen vizitat familjare, sa u përket kushteve fizike, janë në nivel të kënaqshëm dhe nuk ka barriera të cilat do ta pengonin kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet familjarëve dhe të burgosurve.

“Përmes këtij raporti me rekomandime, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të burgosurit të furnizohen me mjete higjienike; të evitohen mangësitë teknike të funksionimit të dusheve; të shtohen aktivitetet jashtë qelisë për të paraburgosurit; QPP-ja të furnizohet me dyshekë të rinj dhe cilësorë; të ndërpritet praktika e dërgimit të mostrave të gjakut në laborator jashtë QPP-së; si dhe të krijohen kushte adekuate pune për personelin mjekësor dhe për atë korrektues”, thuhet në raport.

Të ngjashme