“Të formohet Qeveria e Kosovës dhe të ulen tensionet, duke eliminuar fjalorin fyes e të dhunshëm”

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar të formohet Qeveria e Kosovës dhe të ulen tensionet.

Madje KMDLNj, po thotë se duhet eliminuar fjalorin fyes e të dhunshëm.

Deklarata e plotë:

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë me vëmendje po e përcjellë situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë me ç’rast fitues doli të jetë LVV –së , e dyta LDK-ë , e treta PDK-së kurse e katërta AAK – PSD sikur që koalicioni NISMA – AKR siguroi vota të mjaftueshme për Kuvend të Kosovës . Si asnjëherë më parë , partitë jofituese , PDK –ë dhe AAK-PSD menjëherë pranuan rezultatin e zgjedhjeve , u deklaruan si opozitë e ardhshme duke ua lehtësuar në masë të madhe LVV –së dhe LDK-së bërjen e koalicionit për bashkëqeverisje dhe formimin e institucioneve.

Premtimet e LVV –së dhe LDK-së garantonin se në afatin rekord do të arrihet marrëveshje dhe se do të formohen institucionet . Koha tregoi se këto premtime ishin në shpërputhje të madhe me gjendjen reale në raportet midis këtyre dy subjekteve politike dhe , për këtë arsye , deri më tani nuk kemi një marrëveshje të premtuar ndonëse kanë mbetur vetëm pesë ditë deri në përfundim të afatit kushtetues për formimin e qeverisë së Kosovës nga i mandatuari për kryeministër , Albin Kurti , kryetar i LVV –së. KMDLNj e ka përkrahur koalicionin LVV –ë  dhe LDK-ë , si mundësi dhe dytyrim real në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit. Në rrugëtimin drejt arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje midis LVV –ë dhe LDK-së nuk ka pasur asnjë pengesë , qoftë nga opozita , shoqëria civile , mediat dhe komunitetet tjera në Kosovë prandaj , për KMDLNj është e paqartë por edhe e papranueshme vonesa e arritjes së marrëveshjes si dhe formimit të institucioneve .

Realisht , kjo vonesë , mbështetur në praktikat e mëparshme në Kosovë por edhe në vendet me një demokraci shumë më të zhvilluar dhe të qëndrueshme , nuk është e madhe dhe nuk do të ishte shqetësim po të mos ishte miratimi i Buxhetit të Kosovës dhe rreziku real për një kolaps institucional dhe shtetërorë për shkak të afateve të ngushta . Edhe ambasadat e huaja në Kosovë kanë inkurajuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së Kosovës duke përkrahur botërisht koalicionin LVV –ë dhe LDK-ë.

Në takimin e fundit midis LVV –ë dhe LDK –ë morën pjesë ambasadorët apo përfaqësuesit e vendeve të KUINT-it si dhe përfaqësuesja e BE-së e që u deklaruan se nuk kanë ndërhyrë te subjektet politike për formim të Qeverisë e që , për KMDLNj –ë është e papranueshme dhe  paraqet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti që e llogarisin si sovran dhe të pavarur. Qëndrimi paternalist i ndërkombëtarëve në takimin e fundit midis këtyre dy subjekteve politike është mohim i demokracisë përmes imponimit “konstruktiv” të formimit të qeverisë për faktin se vet prania në këtë takim është trysni që , më shumë e pengon formimin dhe konsolidimin e institucioneve , se që e ndihmon ate !

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë thërret LVV-në dhe LDK-në , që në kuadër të hapësirës së lejuar kushtetuese të bëjnë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që nënkupton fleksibilitet gjatë bisedimeve si dhe qëndrim konstruktiv duke e eliminuar ndjenjën apo matematikat se sa kush humbë dhe sa kush fiton. Nëse nuk arrihet kjo marrëveshje , e KMDLNj nuk sheh asnjë arsye të mos arrihet , humbësit më të mëdhenj do të jenë pikërisht këto dy subjekte politike që kanë premtuar shumë reforma apo hapa të mëdhenjë për qytetarin dhe Kosovën ndërsa nuk po kanë vullnet e as kapacitet ta bëjnë një hap të vogël që iu ka mbetur , arritja e marrëveshjes për bashkëqeverisje .

Alternativa tjera siç janë shkuarja në zgjedhje të reja janë shumë të dëmshme sepse nuk e ndryshojnë apo fare pak e ndryshojnë konfiguracionin politik në Kosovë. Qeveria e pakicës , mbështetur në raportin e forcave ku pozita do të ishte minoritet absolut politik kurse opozita mazhorancë dominuese do të shërbente vetëm për një përdorim ; votimin e Buxhetit të Kosovës pas së cilës , kërkesa e parë për votbesim të qeverisë do e shtrinte këtë qeveri të pakicës për toke .

KMDLNj pret që marrëveshja për bashkëqeverisje të nënshkruhet sa më parë duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve të fundit , si sa i përket përgjegjësisë së fituesit të zgjedhjeve , LVV –së për formim të institucioneve ashtu edhe demonstrimit të gatishmërisë për të bërë kompromis , gjithashtu nga pozita e fituesit . Në këtë kontekst , KMDLNj pret që edhe partitë opozitare të votojnë për qeverinë në ardhje , nëse do të kemi marrëveshje , pa e kushtëzuar votën me asgjë .

KMDLNj është i shqetësuar shumë me fjalorin jodemokratik , kërcënues dhe fyes që po përdoret , si ndaj subjekteve politike , bartësve të posteve , liderëve të subjekteve politike dhe të tjerëve e që , në masë të madhe po e tensionon situatën në vend prandaj e fton Prokurorinë e Shtetit që të merret me këto dyshime të ngritura botërisht për faktin se fjala publike bartë përgjegjësi publike , morale dhe ligjore  . Fjala e shprehur publikisht mund  të ndihmojë hetuesinë , nëse është e mbështetur në fakte , në të kundërtën denoncuesi që në mënyrë të paargumentuar luan me personalitetin , integritetin moral , profesional , familjar dhe njerëzorë të kujdoqoftë ai , duhet t’i nënshtrohet sanksioneve ligjore , si masë parandaluese për të tjerët. Përmendja e familjarëve të papërfshirë në çfarëdo aktiviteti të kundërligjshëm , për qëllime ekskluzivisht të përfitimit politik , KMDLNj e konsideron si veprim të pandershëm dhe të dënueshëm dhe , sjellje të tilla duhet të ndërpriten menjëherë.

Është koha e fundit që të ndajmë përgjegjësitë , ato që iu takojnë organeve të drejtësisë janë për organet e drejtësisë prandaj  duhet t’u përmabhemi këtyre standardeve që janë vlera dhe detyrime të çdo shteti apo vendi demokratik !

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme