Si artistja më e nominuar sivjet në “Brits Awards 2021”, Dua Lipa tashmë ka arritur majat e suksesit në muzikën pop – dhe kjo para se ajo të largohet me disa çmime të tjera që potencialisht mund t’i fitojë në atë që njihet si mbrëmja më e madhe muzikore e ndarjes së çmimeve britanike.
Këngëtarja 25-vjeçare është nominuar tri herë përpara ceremonisë së muajit të ardhshëm, duke përfshirë çmimin për “Albumin më të mirë të vitit” për albumin ‘Future Nostalgia’, që i solli asaj një sukses të jashtëzakonshëm gjatë vitit 2020.
Pa dyshim që Dua gjithashtu ka fituar shuma të mëdha, me dokumente të reja këtë javë të cilat zbulojnë se ajo ka një pasuri të madhe prej 20 milionë funtesh (23.5 milionë euro) të hyra vjetore, shkruan The Sun.
Por marsin e kaluar, me krizën e COVID që po afrohej ndërsa albumi i saj kryevepër po përgatitej për publikim, gjërat mund të kishin punuar në mënyrë dramatike ndryshe.
Siç zbuloi më vonë vet Dua, menaxherët e saj madje konsideruan tërheqjen e albumit, siç kanë bërë shumë yje të tjerë të famshëm, duke ulur humbjet e tyre pasi industria e muzikës live u detyrua të bënte një “pauzë” për shkak të pandemisë.
Por Dua dhe menaxhmenti i saj rrezikuan, dhe kështu vendosën ta publikojnë albumin ‘ Future Nostalgia’ edhe pse në kohë pandemie. Albumi ka përbrenda hitet e mëdha si: “Physical”, “Don’t Start Now”, “Levitating”, “Break My Heart”, etj.
Një punonjës i kompanisë Warner Records u shpreh javën e kaluar duke thënë: “Ideja që ne do të kishim kopje fizike të ulura në dhomat e dyqaneve në të gjithë Amerikën. . . do të ishte e pamundur të rregullohej një datë e ardhshme dhe të mbahej albumi, dhe gjithsesi po dilte, kështu që ne thamë: ‘Ne duhet të bëjmë diçka’”.
Dua më vonë shtoi: “Do të gënjeja nëse do të thosha se ishte plotësisht mirë dhe isha kaq e gatshme për gjithçka që do të ndodhte”.
“Padyshim që isha e frikësuar, sepse gjithmonë ekziston ajo pasiguria. E shpjegova pikërisht kur izolimi po ndodhte në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte kaq shumë pasiguri dhe vuajtje, ishte një kohë shumë konfuze”, tha Dua.
“Ne nuk e dinim sa gjatë do të ishim në këtë. Disa njerëz thanë dy javë, disa thanë gjashtë muaj dhe unë nuk e kisha idenë”, shtoi artistja shqiptare.
“Gjëja që më bëri të dëshiroj ta shpreh atë kohë është që unë e bëra këtë album si një formë arratisjeje, për t’u larguar nga çdo presion ose fjalë nga njerëzit e tjerë”.
“Ishte arsyeja pse u krijua ky album, kështu që nëse kishte ndonjë kohë për ta nxjerrë atë, duhet të ishte tani”.
Dokumentet e lëshuara këtë javë zbulojnë se pasuria në kompaninë e saj, të quajtur ‘Dua Lipa Limited’ ka arritur shifrën prej 18,576,940 funtesh (21.8 milionë euro) – një rritje prej gati tetë milionë funtesh në 12 muajt e mëparshëm. Një kompani e dytë, ‘Dua Lipa Live LLP’, ka gati 2 milionë funte (2.3 milionë euro) më shumë.
Pa dyshim, ajo humbi një turne fitimprurës vitin e kaluar për shkak të izolimit, i cili do të rriste të ardhurat e saj edhe më shumë.
Ekzekutivi i ‘Warner’, Joe Kentish tha: “Siç thotë vetë Dua, i gjithë albumi u shkrua me qëllim që të interpretohej drejtpërdrejt”.
“Turnetë e saj ishin vërtet në rritje në fund të albumit të parë dhe kështu ky, ajo pa se ku po shkonte dhe donte një album që ajo të mund të bënte turne dhe të bënte një nga ato turnetë masivë të arenës botërore që ajo gjithmonë do të kishte ëndërruar”.
“Kur po shkruante këngët, ajo e imagjinonte veten duke i kënduar ato në festivale të mëdha si ‘Glastonbury’ – kështu e parashikoi nëse do të kishte energjinë e duhur”.
“Por gjithçka që ajo ëndërroi, duket seikur ndodhi e kundërta e asaj që ishte planifikuar për promovimin e këtij albumi”.
Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm për Duan. E lindur në vitin 1995 në Londër nga prindërit shqiptarë të Kosovës Dukagjin dhe Anesa, ajo u rrit në një ish-banesë të këshillit përpara se familja të kthehej në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë kur ajo ishte 11 vjeçe.
Por vetëm katër vjet më vonë talenti i saj i dukshëm dhe ambicia muzikore i bënë prindërit e saj ta lejonin atë të ndiqte ëndrrat e saj, dhe 15-vjeçarja Dua u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, ku qëndroi me një mike të familjes.
Duke bërë një punë me pagë të ulët si kamariere dhe në dyert e klubeve të natës, e sollën interesin e saj nga agjentët e modelimit dhe puna me markat përfshirë “Topshop” dhe “Asos”. Pastaj ajo u bë protagoniste në një reklamë për spektaklin e talenteve “The X Factor”, e cila i solli asaj një njohje me disa producentë të muzikës, me të cilët më pas nënshkroi kontratë me ta.
Suksesi i saj i parë tregtar, ishte në vitin 2015 me hitin “Be the One” – këngë e cila u incizua ndërsa ajo ishte ende duke punuar në një restorant në Londër dhe më pas u rendit si kënga e nëntë në top 10 këngët më të mira në Mbretërinë e Bashkuar, në atë kohë.
Në vitin 2017, hiti i saj “New Rules”, që ishte pjesë e albumit të saj debutues me titullin ‘Dua Lipa’ u rendit për javë të tëra si kënga e parë në top listën zyrtare në MB, dhe i dha asaj mundësinë të performonte në festivalin më të madh në Britani, “Glastonbury”.
Sot ajo është një nga yjet më të mëdhenj të muzikës në botë, dhe shpesh merr pjesë në ngjarje dhe festivale joshëse, me dukje glamuroze në tapetin e kuq.
“Duke marr pak hua nga titujt e një prej këngëve më të suksesshme të saj, ajo po leviton (ngjitet) shpejt”, përfundon The Sun, shkrimin referuar suksesit të artistes shqiptare.