Te Kosova, të motivuar për ndeshjen e vështirë me Hungarinë

Prishtinë | 25 Mar 2024 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Pas fitores 1:0 ndaj Armenisë, te përfaqësuesja e Kosovës në futboll kanë kthyer fokusin te miqësorja e së martës mbrëma ndaj Hungarisë.

Ndeshja Hungari – Kosovë zhvillohet në Budapest nga ora 19:00. Përfaqësuesja të shtunën ka udhëtuar për në Budapest nga Jerevani i Armenisë, ndërsa të dielën e ka zhvilluar stërvitjen e radhës. Me grupin e lojtarëve është bashkuar edhe mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu. Ai ishte i grumbulluar me Kosovën U21, që të premten barazoi pa gola me Gjermaninë në Chemnitz. Emërllahu startoi te Shpresat e Kosovës dhe luajti deri në minutën e 88-të.

Emërllahu është shprehur krenar që sërish është grumbulluar me Kosovën A. Ai ka lënë prapa një lëndim serioz, që e mbajti jashtë fushës për shumë muaj.

“Është ndjenjë e papërshkrueshme për secilin lojtar të jetë këtu, pasi ka shumë futbollistë me eksperiencë që luajnë në klube të mira evropiane. Për mua ishte një rikthim shumë i mirë pas një lëndimi që e kisha. Ndihem mjaft mirë dhe shpresoj ta jap kontributin tim në ndeshjen e ardhshme kundër Hungarisë. E dimë që Hungaria ka lojtarë shumë të mirë dhe është një ekip i fortë, por edhe ne kemi një ekip me lojtarë mjaft cilësorë dhe besoj që do të jetë një befasi shumë e madhe”, ka theksuar Emërllahu.

Mesfushori tjetër i Kosovës, Blendi Idrizi, ka pranuar se Hungaria është kundërshtar tjetër në krahasim me Armeninë. Ai e ka vlerësuar paraqitjen ndaj Armenisë.

“Unë besoj që paraqitja ka qenë e mirë dhe ka qenë e rëndësishme ta fitojmë ndeshjen. Kemi hyrë në lojë mirë, kemi pasur raste për një ose dy gola më shumë. Në 15 minutat e fundit kundështari ka bërë më shumë presion, por ajo është normale, por për ne është e rëndësishme që kemi fituar ndeshjen. Atmosfera është shumë e mirë. Hungaria është tjetër kundërshtar me më shumë kualitet. Edhe ne kemi cilësinë tonë dhe duhet ta bëjmë edhe një tjetër paraqitje të mirë”, ka theksuar Idrizi.

Ai ishte zëvendësues ndaj Armenisë dhe pret të ketë minuta edhe ndaj Hungarisë. Stadiumi në Budapest pritet të jetë i mbushur me shikues.

“Na jep motivim shumë më shumë. Stadiumi duhet të jetë i mirë. Por edhe me tifozë dhe pa tifozë, ne duhet të jemi të motivuar”, ka shtuar Idrizi.

Përfaqësuesja e Kosovës të hënën zhvillon stërvitjen e radhës në Budapest.

Të ngjashme