Të pakënaqur me vendimin, prindërit e argjentinases kërkojnë burgim të përjetshëm për Endrit Nikën

Prishtinë | 19 Shk 2026 | 10:14 | Nga Gzim Mujaj

Prindërit e viktimës kanë paralajmëruar se do të apelojnë vendimin e gjykatës dhe do të kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarin, pas shpalljes së aktgjykimit për rastin e vrasjes së shtetases argjentinase në Fushë Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 18 vjet burgim të akuzuarin Endrit Nika për veprën penale vrasje e rëndë, ndërsa aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri.

Nëna e viktimës, Magdalena Delmonte, tha se sot vajza e saj, Maria Klara, mund të pushojë në paqe, duke shtuar se, pavarësisht vështirësive që nga fillimi, familja gjithmonë ka besuar në drejtësinë e Kosovës dhe ka vlerësuar punën e prokurorit.

Ajo tha se familja do të konsultohet me avokatin, por me shumë gjasë do të apelojë vendimin dhe do të kërkojë burgim të përjetshëm, duke theksuar se në sistemin gjyqësor të Argjentinës femicidi dënohet me burgim të përjetshëm.

“Sot Maria Klara mund të pushojë në paqe. Përkundër të gjitha vështirësive, ka qenë e vështirë që nga fillimi për ta rikthyer. Por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës dhe e vlerësojmë shumë punën e prokurorit, i cili gjithmonë është përkushtuar për të treguar të vërtetën dhe sot e ka dëshmuar këtë. Klara e ka marrë drejtësinë dhe i falënderojmë autoritetet e Kosovës. Kurrë nuk mund të dënohet aq sa meriton. Kjo është diçka për të cilën duhet të konsultohemi me avokatin tonë, por gjithsesi me shumë gjasë do ta apelojmë këtë vendim. Në sistemin tonë gjyqësor në Argjentinë, vrasja e një gruaje, pra femicidi, dënohet me burgim të përjetshëm. Gjithsesi do të kërkojmë burgim të përjetshëm”, tha ajo.

Babai i viktimës, Facundo Urdangaray, tha se asgjë nuk mund t’i ngushëllojë, pasi sipas tij vajza e tyre është e vdekur, ndërsa i akuzuari vazhdon të jetojë, duke shtuar se ajo është vrarë në mënyrën më brutale.

“Vajza jonë vazhdon të jetë e vdekur, asgjë nuk mund të na ngushëllojë, ndërsa ai vazhdon të jetojë. Vajza jonë ka përfunduar e vrarë në formën më brutale”, tha ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues prej 18 vitesh burgim ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë. Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri.

“I akuzuari është fajtor për veprën penale vrasje e rëndë. Gjykata, në bazë të dispozitave ligjore, e dënon të akuzuarin me burgim në kohëzgjatje prej 18 vitesh”, tha ai.

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika akuzohet se më 01.08.2023, në Fushë Kosovë, në hotelin “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., fillimisht e ka goditur në vazhdimësi dhe ka tentuar ta shkelë me veturë në parkingun jashtë hotelit. Më pas, pasi janë futur në dhomën e hotelit ku po qëndronin, i pandehuri, me dashje për ta privuar nga jeta, ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj viktimës, duke e shtyrë në qoshe të dhomës nga ku ajo nuk ka pasur mundësi të largohet. Nga goditjet dhe shtyrjet, i pandehuri ka nxjerrë kornizën e dritares dhe e ka hedhur viktimën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, Prokuroria e akuzon Endrit Nikën për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Të ngjashme