Tendencat digjitale, puna në lëvizje dhe aplikacioni ZOOM

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 13:51 | Nga Arsim Ajeti

Javë më parë, tensionimi i situatës në Kosovë bëri jehonë në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, nga Bloomberg e deri tek Financial Times’, me kryetitujt si: “Nuk mund të kemi kryetar bashkie me Zoom”, dhe “Të gjithë duhet të punojnë në zyrë”.

Tituj të tillë, thjeshtë tregojnë se sa larg jemi, në kuptimin e tendencës së re, asaj të ‘punës në distancë’. Protestat e dhunshme, bllokimi i shërbimeve komunale në veri, u bënë lajmi negativ, për vendin më pak tërheqës në rajon për investitorët e huaj, dhe kjo për shkak të krizave të njëpasnjëshme.  

Një ndër temat që u theksua fare pak, por që mund të ishte çelësi i zgjidhjes së situatës ishte padyshim, edhe propozimi i emisarit amerikan, z. Escobar, për përdorimin e aplikacionit ’ZOOM’.

Kjo mundësi, ashtu si edhe qindra mundësi të tjera, u anashkalua me indiferencë nga qeveria e radhës, si pasojë e një mentaliteti të ngurtë ballkanik, ku tendencat novatore kuptohen me vonesë, dhe përshtaten fare pak, në krahasim me vendet e zhvilluara.

Por, a ishte kërkesa për shërbim përmes aplikacionit ZOOM një rast i humbur për Kosovën?

E vërteta është që Kosova ka mëse një dekadë që tashmë ka hyrë në një rreth vicioz, i quajtur dialogu tripalësh. Mundësuar nga BE-ja, dhe pa asnjë rezultat të prekshëm për qytetarët e Kosovës, një situatë e tillë ka rezultuar në një migrim në rritje, ndërsa krizave sociale nuk po i shihet fundi.

Si rrjedhojë, kemi rikthim në pikën zero.

Ndërkohë që dallimi i vetëm qëndron në faktin se Kosova po cilësohet si iniciatore e krizës, dhe si rrjedhojë, do të sanksionohet. Pra, qasja e gabuar largon investitorët, por edhe mungesa e ideve novatore dhe aplikimi i tyre karakterizon të gjitha partitë tona politike, pa përjashtime.

Meqenëse edhe në Kosovë duhet të ketë një pikëfillesë, (mbase jo nga qasja reformatore), së paku kjo pikëfillesë të nisë me shërbimet digjitale ofruar nga administrata e stërngarkuar dhe jo efektive, me kuadro kryesisht të ardhur si rrjedhojë e punësimeve partiake, në varësi të cilës parti që ka udhëhequr komunat në fjalë.

Si do të duhej të ishin shërbimet bazë për qytetarët e Kosovës në vitin 2023?

Shembujt më të mirë për vite me rradhë janë vendet evropiane, si: Estonia, që cilësohet si vendi udhëheqës në digjitalizimin e shërbimeve komunale. Finlanda, e cila ka rezultatin më të lartë në Indeksin e Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale (DESI) sipas Eurostatit, dhe, Danimarka, në përshtatjen e shërbimeve adminstrative digjitale, dhe jo vetëm.

Zbatimi i tendencës së njohur si ‘puna hibride’ përmes shërbimeve digjitale, ka pësuar stanjacion në rajonin ballkanik, si tërësi, edhe pse ka një penetrimin të lartë të internetit, veçanërisht në Kosovë, ku pothuajse çdo i ri ka pajisje nga ato më të fundit celulare të njohura si ‘smartphone’, dhe ka njohuri mesatare mbi funksionimin e teknologjisë adekuate, si dhe qasje në internet 24/7.

Një sondazh nga Konsulenca FlexJobs, i botuar në muajin prill, anketoi më shumë se 2,500 individë që punonin në distancë gjatë pandemisë, dhe zbuloi se 59% e të anketuarve do kërkonin absolutisht, një punë të re, nëse nuk mund të vazhdonin punën në distancë, përmes aplikacionit Zoom (apo aplikacioneve gjegjëse).

Ndërsa vetëm 2% e të anketuarve, deklaruan se puna në zyrë, me kohë të plotë do të ishte zgjidhja e duhur për ta.

Sondazhi zbuloi, gjithashtu, se përfitimet kryesore të punës në distancë përfshinin kursimet e kostos dhe shmangien e udhëtimit në zyrë.

Më shumë se një e treta e të anketuarve preferuan punën në distancë, apo ‘hibride’ siq ndryshe njihet

Pra, puna hibride, jo vetëm që mundëson fleksibilitet dhe ul kostot e punëdhënësit, por rritja e efikasitetit dhe evitimi i detyrimeve shtesë nga të punësuarit, e bënë të gjithë situatën një përvojë fitimprurëse për të dyja palët, apo ndryshe e njohur edhe si ‘win-win’.

Pandemia, pa dyshim, ishte shkas i shtytjes drejt tendencës digjitale.

Imponimet nga izolimet e pa precedenta e detyruan tregun të hulumtonte alternativa të tjera, dhe interneti ishte zgjidhja e vetme dhe adekuate nga të panjohurat e virusit C-19.

Si rrjedhojë, edhe konsumatorët u fokusuan tek shërbimet digjitale, dhe fill më pas, çdo aktivitet i rëndësishëm jetik, duke nisur që nga edukimi e deri tek tregtia dhe zbavitja, u fokusuan tek tendenca e digjitalizimit në masë.

Që nga ajo kohë e deri më sot, ne kemi trashëguar tendencën e aplikacioneve në rritje, të tilla, si: Netflix, Tik-Tok, Tinder, Zoom, e kështu me rradhë.

Përpara pandemisë, aplikacioni Zoom ishte thuajse i panjohur, me disa përjashtime të startup-eve novatore në SHBA.

Ndërsa sot, aplikacioni Zoom është pjesë përbërëse e punës për miliona punëdhënës, që nga bankat prestigjioze Citi Group, e Deutsche Bank, e deri tek gjiganti i shërbimeve online, ‘Airbnb’.  Duket sikur të gjitha fushat e jetës po nxitojnë të bëjnë pjesë të tyre përshtatjen e tendencës së ‘punës në distancë’, të njohur si ‘hybrid work’, ndërkohë që kushtet themelore të punësimit të kësaj forme janë: qasja në internet dhe pajisja kompjuterike.

Për ta përmbledhur, këto janë edhe disa nga përparësitë e punës në distancë:

Puna nga shtëpia ose nga vendi i preferuar

Paga e njëjtë, me kosto më të ulëta 

Fleksibiliteti për të udhëtuar dhe punuar në lëvizje

Takime ekipore të rregullta online

Efikasitet i lartë dhe llogaridhënie individuale

Si përfundim, pavarësisht se Kosova statistikisht ka mbulim territori në masën 99% me internet, dhe ku rinia e saj konsiderohet si një nga popullsitë më të reja me njohuritë lidhur me funksionimin dhe programimin, është faktori politik në vend, ai që nuk po i hap udhën mundësive të këtij potenciali të jashtëzakonshëm, dhe të pa shfrytëzuar deri më sot.

Të ngjashme