Tentim sulmi ndaj Rrahman Jasharajt, Prokuroria nis hetime

Prishtinë | 05 Sht 2022 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Nga Prokuroria i kanë thënë se kanë nisur hetimet rreth tentim sulmit të Rrahman Jasharajt, raporton express.

Paraditën e sotme, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, një qytetar tentoi ta sulmojë kryesindikalistin e arsimit, Rrahman Jasharajn.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se është nisur rast për kanosje.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosja”, si dhe janë autorizuar policia për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjën e Prokurorisë.

Jasharaj tha sot pas incidentit se ka pasur tentim të sulmit ndaj tij “nga një prind”. Ai tha se mund të sulmohet edhe në rrugë.

“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë”, deklaroi Jasharaj pas incidentit.

Më pas, mediat në vendin e ngjarjes raportuar se Jasharajn deshi ta sulmonte gjyshi i një nxënëse.

Pas këtij incidenti, gjyshi i nxënëses është deklaruar për media, duke e quajtur Rrahman Jasharaj si “armik të nxënëseve”.

“Mbesën time e kam regjistruar në klasë të parë sivjet. Erdha të pyes a po fillon mësimi apo jo. Hyra në sallë ku po mbahej mbledhja e Sindikatës. E pashë, armikun e këtyre nxënësve, se askënd tjetër nuk e ofendoj vetëm atë personalisht. Ai e ka marrë një kokëfortësi në vete e i ka nda edhe arsimtarët edhe arsimin. Ky është armik, më i zi se shkau”, deklaroi ai pas përplasjes në klasë.

Pas tentim sulmit ndaj Jasharajt, ka edhe pasur reagime, duke thënë se linçimet nga pushteti dhe njerëz të afërt me partinë në pushtet, mund të shtyjnë në sulme ndaj kryesindikalistit.

Greva e arsimtarëve po vazhdon, e bashkë me të lufta Qeveri – sindikata. Kryeministri Albin Kurti po kërkon përfundimin e grevës, pa i plotësuar kërkesat  e sindikatave, udhëheqësi i të cilave thotë se Kurti s’po pranon të dialogojë me to.

Të ngjashme