Shërbimi Sekret i SHBA-së njoftoi të dielën në mëngjes se një burrë i armatosur u qëllua për vdekje pasi hyri në perimetrin e sigurisë së Mar-a-Lagos, rezidencës së Donald Trump në Florida.
Edhe pse presidenti amerikan shpesh kalon fundjavat në resort, ai ishte në Shtëpinë e Bardhë në Uashington në momentin kur ndodhi incidenti.
Identiteti i personit që u qëllua nuk është bërë i ditur, por dyshohet të jetë një i ri rreth të 20-ave.
Sipas Shërbimit Sekret, ai u “pikas nga porta veriore e pronës Mar-a-Lago duke mbajtur në dorë një pushkë dhe një bidon me benzinë”.
Ai u qëllua nga agjentë të Shërbimit Sekret dhe një zëvendës sherif i qarkut Palm Beach, tha agjencia.
Zëdhënësi i FBI-së tha se po mblidhen prova për ngjarjen. Au u ka kërkuar personave që jetojnë pranë vendngjarjes të kontrollojnë kamerat e sigurisë së jashtme.