Thatësira vonon mbjelljet vjeshtore, janë mbjellë vetëm 10% e sipërfaqeve të planifikuara

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e reshjeve atmosferike dhe thatësira ka ndikuar në vonesën e mbjelljeve vjeshtore, veçanërisht të drithërave në Kosovë. Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), kanë treguar se nga sipërfaqet e planifikuara për t’u mbjellë janë realizuar vetëm 10 për qind.

Vonesën në mungesën e mbjelljeve vjeshtore, ekspertët e bujqësisë, e shohin si tepër shqetësuese e cila do të ndikojë edhe në rendimentet e grurit.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë (DPBT), Isuf Cikaqi, për Telegrafin ka thënë se kushteve klimatike jo të favorshme kanë mundësuar që të mbillen vetëm 10 për qind e sipërfaqeve të planifikuara.

“Planifikimi për mbjelljet vjeshtore në vitin 2018 është 75 mijë deri 80 mijë hektarë, por që për fat jo të mirë deri më tani janë mbjellë vetëm rreth 10 për qind e sipërfaqes së planifikuar, për shkak të kushteve klimatike jo të favorshme që kanë përfshirë muajve të fundit vendin tonë (mungesa e reshjeve të shiut e që e ka pamundësuar përgatitjen e tokës për realizim të mbjelljeve)”, tha për Telegrafin, Cikaqi.

Ai tha se këtë vit nga kultura e grurit janë planifikuar të mbillen rreth 75 mijë hektarë.

“Vetëm me kulturën e grurit këtë vit planifikohet të mbillen rreth 75 mijë hektarë, por që një gjë e tillë edhe këtë vit sikurse edhe viteve të tjera varet nga disa faktorë por që në radhë të parë nga kushtet klimatike se sa do të jenë të favorshme ato për të mundësuar realizimin e mbjelljeve”, tha drejtori i DPBT-së, Isuf Cikaqi.

Profesori në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, ka thënë për Telegrafin se të dhënat nga terreni tregojnë se ka vonesa, sipas tij, këto vonesa janë shqetësuese.

“Në raport me vitin e kaluar, ky vit ishte më specifik, sepse u karakterizua me thatësi në dy apo tre muajt e fundit. Një pjesë shumë e vogël e fermerëve arriti t’i kultivoj pjesët me grurë. Të dhënat nga terreni janë shqetësuese edhe pse mbjelljet po vazhdojnë aty këtu në disa sipërfaqe të vogla”, tha Rusinovci.

Ai kërkuar nga fermerët që të vazhdojnë me mbjelljen aty ku ka kushte, por duhet shtuar sasia e farës dhe plehrave artificial në sipërfaqet e tokës.

“Për mbjelljet e vonshme që janë pas muajit tetor, e rekomandonim mbjelljen aty ku mundet të bëhet me një shtim të dozës së farës dhe plehrave për më shumë se 20 për qind dhe unë mendoj se mbledhjet e vonuara të kryhen aty ku ekzistojnë kushtet klimatike tokësore pavarësisht se fermerët duhet të kenë kujdes në mënyrë që të kemi një uniformaritet më të madh të bimëve të reja”, tha ai.

Rusinovci tërheq vërejtjen se nëse nuk realizohen të mbjellat, atëherë importi i drithërave do të jetë dukshëm më i madh.

“Tregu i importeve të drithërave të viteve të kaluara ka qenë shqetësues dhe vitin e kaluar pritet të jetë dukshëm më shqetësues për faktin se në këto mbjellje vjeshtore nuk arrihet mbjellja e sipërfaqeve të planifikuara, atëherë importi do të jetë dukshëm më i madh”, tha profesori Imer Rusinovci.

Ai rekomandon që sektorit të bujqësisë t’i jepet tretman i duhur.

“Rekomandoj që të gjithë fermerët të kenë shkallë të caktuar të mobilitetit, rekomandoj që Ministria e Bujqësisë të jetë shumë aktive edhe në terren edhe në monitorim, rekomandoj që Qeveria e Kosovës që njëherë e përgjithmonë ta jep tretmanin e duhur bujqësisë në përgjithësi, e drithërave në veçanti në mënyrë që ky sektor i rëndësishëm ekonomik ta ketë tretmanin e duhur”, rekomandoi ai.

Sipas MBPZHR-së, Kosova nga prodhimtaria e grurit plotëson rreth 80 për qind të nevojave për konsum, ndërsa misri plotëson rreth 87 për qind.

“Në vitin 2016, nga sipërfaqja e përgjithshme e mbjellë me drithëra, 65.5 për qind është e mbjellë me grurë. Me sipërfaqe prej 88,122 hektarë, prodhimtaria e grurit është 365,651 ton dhe më këtë prodhimtari Kosova arrin t’i mbuloj rreth 80 për qind të nevojave për konsum ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga importi. Në vitin 2016, sipërfaqja me misër ishte pothuajse e njëjtë me vitin 2015, ndërsa prodhimi është 42 për qind më i lartë si rezultat i rritjes së rendimentit. Me këtë sasi të prodhimit Kosova mund të mbulojë 87 për qind të nevojave të brendshme, ku pjesa më e madhe është përdorur si ushqim i kafshëve. Për të përmbushur nevojat e përgjithshme Kosova gjithashtu importon misrin dhe bilanci tregtar mbetet negativ në vlerë prej 4.1 milionë euro”, thuhet në “Raporti i Gjelbër 2017”, publikuar nga MBPZhR.

Nga regjistrimi i fundit të ekonomive familjare dhe banesave, llogaritet se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 416 mijë e 072 hektarë.

“Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave me 52.5 për qind si dhe tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 44.9 për qind, kulturat shumëvjeçare me 2.3 për qind dhe kopshtet me 0.3 për qind. Toka e punueshme, pjesa më e madhe është me drithëra me 64.6 për qind, bimë foragjere me 19.3 për qind, perime me 4.5 për qind, patate me 2.3 për qind, bishtajore me 1.9 për qind, bimë industriale me 0.2 për qind, kultura të tjera me 1.2 për qind dhe tokë djerrinë me 5.9 për qind”, thuhet në Anketën e Ekonomive Bujqësore për vitin 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme