Tifozi zviceran e bën Shaqirin tatuazh në trupin e vet

Prishtinë | 28 Qer 2021 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Një tifoz zviceran e ka mbajtur zotimin e dhënë dhe e ka bërë tatuazh në trupin e vet yllin kosovar të Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri.

Danny Kenel, 21 vjeç, kishte premtuar për televizionin zviceran se do ta vizatonte Shaqirin në trupin e vet, nëse ylli i Liverpoolit do të shënonte gol kundër Turqisë në ndeshjen vendimtare në fazën grupore në Euro 2020, raporton Gazeta Express.

Sulmuesi nga Gjilani i shënoi dy gola në fitoren e Zvicrës 3:1 kundër Turqisë në ndeshjen e fundit në Grupin A, duke iu ndihmuar helvetikëve të kalojnë në mesin e 16 më të mirëve në Euro 2020 si njëra nga katër skuadrave e renditura më së miri në vendin e tretë.

Kenel e ka mbajtur fjalën e dhënë para ndeshjes dhe është paraqitur në një studio tatuazhi për ta vizatuar 29-vjeçarin në kofshën e vet, sipas transmetuesit zviceran.

Zvicra do të përballet sonte me Francën në 1/8 e finales dhe Shaqiri shpreson se me një tjetër paraqitje frymëzuese do ta dërgojë kombëtaren e vet në çerekfinale të një evropiani për herë të parë në historinë e saj.

Pas dy paraqitjeve të zbehta në barazimin me Uellsin në ndeshjen hapëse dhe në humbjen kundër Italisë, ishte koha e fundit që Shaqiri të dilte në skenë për Zvicrën.

Ai e bëri këtë atëherë kur iu desh më së shumti zviceranëve, duke shënuar dhe krijuar për 75 minuta lojë në fushë.

Shaqiri shënoi gol spektakolar me këmbën e tij të dobët, të djathtë, nga rreth 20 metra lartësi, në minutën e 26-të, para se të realizonte për herë të dytë në këtë takim në minutën e 68-të.

Duke folur pas ndeshjes Shaqiri tha për golin me të djathtën: “Sot ishte ndryshme me këmbën e djathtë, ndryshe nga ato ditët kur mendoj se këmba ime e majtë është shumë më e mirë (qesh). Nuk e kisha menduar se këmba ime e djathtë do të ishte kaq e mirë.”

Ky është evropiani i dytë radhazi që ylli i Liverpoolit shënon gol, ndërsa turneu i katërt i madh që shënon gol radhazi, pas Botërorit 2014, Euro 2016 dhe Botërorit 2018.

Falë këtyre dy golave, 29-vjeçari nga Gjilani e barazoi rekordin e Hakan Yakinit si dy lojtarët me më së shumti golave të shënuara për kombëtaren e Zvicrës në historinë e Kampionatit Evropian.

Shaqiri u shpallë lojtari më i mirë i ndeshjes Zvicër – Turqi të dielën në Baku.

Të ngjashme