“Tirana, 100 Vjet Kryeqytet” në dokumente origjinale, fotografi dhe 12 vula fizike

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Dokumente origjinale, 12 vula fizike që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, si dhe disa fotografi të ekspozuara nga Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë u ekspozuan sot në Kalanë e Tiranës.

Ekspozita “Tirana, 100 vjet kryeqytet” e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave së bashku me bashkinë e Tiranës dhe Kalaja e Tiranës u çel në kuadër të 100- vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet.

Ekspozita u çel në praninë e drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave dr. Ardit Bido, kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, administratores së Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani, kryetarit të Shoqatës së Koleksionistëve, Julian Demeti dhe të shumë qytetarëve që iu bashkuan kësaj ekspozite unike.

Në ekspozitën kushtuar 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet u prezantuan dokumente origjinale, mes tyre aktet e para, njoftime për shpalljen e Tiranës kryeqytet të përkohshëm të viteve 1920-1921, Statutin themeltar të Republikës së Shqipërisë të vitit 1925 ku Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqytet, si dhe 12 vula fizike të administratës së Tiranës ndër vite.

Gjithashtu disa qarkore, vendime të marra nga administrata e Tiranës nga viti 1928-1997 ku shihen mjaft qartë vulat dhe evolucioni i tyre. Të gërshetuara në këtë ekspozitë janë edhe imazhet e Tiranës, ngjarjeve historike të shkrepura në fotografi ndër vite, të prezantuara nga Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë.

Ekspozita do të jetë e hapur më 11-12 shkurt 2020, në ambientet e Kalasë së Tiranës.

Jeni të mirëpritur që të gjithë për t’u njohur me historinë dhe për të festuar 100 vite të Tiranës kryeqytet/ATSH.

Të ngjashme