Ka nisur seanca gjyqësore ndaj Nadica Cepkenoviq, e cila po akuzohet për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Çështja po shqyrtohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa Cepkenoviq përballet me akuzat lidhur me periudhën kur kishte shërbyer si gardiane në burgun e Prishtinës – paralelen për gra në Lipjan.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, gjatë viteve 1998-1999, Cepkenoviq, në bashkëkryerje edhe me gardiane të tjera, dyshohet se kishte keqtrajtuar dhe torturuar në mënyrë sistematike të burgosura shqiptare.
Prokuroria pretendon se të burgosurat ishin rrahur me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shqelma dhe grushte, duke u shkaktuar edhe lëndime trupore.
Në aktakuzë përshkruhen gjithashtu pasoja të rënda fizike dhe psikologjike që, sipas Prokurorisë, viktimat i kanë përjetuar si pasojë e këtyre veprimeve.
Aktakuza ndaj Cepkenoviqit është ngritur më 16 janar 2026 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Ajo akuzohet për veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.