Tovërlani: Nëse lojtarët s’lazdrohen, Kosova e mposht Bullgarinë; fokusi në mesfushë

Prishtinë | 25 Mar 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Trajneri kosovar Afrim Tovërlani ka thënë se gjasat janë të mëdha që Kosova të triumfojë në ndeshjen me Bullgarinë, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.

Në një prononcim për klankosova.tv, ai ka thënë se përparësi e lojtarëve të Kombëtares së Kosovës është se ata do të luajnë në stadiumin e tyre, në të cilin ende nuk janë mposhtur.

“Mendoj se gjasat janë të mira që të dalim fitues nëse e marrim shumë seriozisht Bullgarinë dhe nuk lazdrohen lojtarët kosovarë nga rezultatet e ndeshjeve të fundit”.

I pyetur për efektin e miqësores Kosovë-Danimarkë dhe mundësive të përmirësimit të gabimeve të identifikuara, Tovërlani ka theksuar se në ndeshjen me Bullgarinë duhet luftuar për t’i fituar duelet në mesfushë.

“Me Bullgarinë duhet të luftojmë më tepër për t’i fituar duelet në mesfushë. Disa nga lojtarët tanë duhet ta kuptojnë se duhet angazhim edhe kur nuk jemi në posedim të topit”.

“Përparësi e jona ndaj bullgarëve është sepse luajmë në shtëpi dhe ende nuk jemi mposhtur në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Përparësi e bullgarëve mund të jetë përvoja dhe mosha e lojtarëve të tyre, por besoj që me angazhim dhe lojë të disiplinuar mund t’ia dalim”.

Të ngjashme