Një lajm i hidhur ka ardhur nga futbolli turk në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë. Frantisek Rajtoral i ka dhënë fund jetës në shtëpinë e tij në Turqi.
Mesfushori çek është gjetur i varur në shtëpinë e tij, dhe lajmi është konfirmuar edhe nga klubi i tij Gazintepspor.
Ka qenë presidenti i klubit, Ibrahim Kizil që ka dhënë deklaratën e parë për media pas lajmit të hidhur.
“Fatkeqësisht më duhet ta konfirmoj se lajmi është i vërtetë dhe se Rajtoral nuk jeton më”. “Në ekip u shqetësuam të gjithë pasi ai nuk mori pjesë në stërvitjen e ditës së diel”.
“Ai ishte pozitiv dhe nuk kishte ndonjë problem. Me të vërtetë nuk e di pse ka ndodhur një gjë e tillë, jam i shokuar si unë ashtu edhe të tjerët në klub”, ka deklaruar presidenti i Gazintepsporit, Ibrahim Kizil.
31-vjeçari ka filluar karrierën në Pribram, për të luajtur edhe tek Banik Ostrava dhe Viktoria Plzen në Çeki.
Ndërkohë ai kishte veshur edhe fanellën e klubit gjerman Hannover 96 për një stinor, ndërsa te Gazintepspor u transferua verën e vitit të kaluar. Deri më tani arsyet e vdekjes së futbollistit çek nuk janë bërë të ditura.
Kujtojmë që Rajtoral ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të Kombëtares çeke, ndërsa ka luajtur edhe për ekipin e parë nga viti 2012.