Trevjetori i Qeverisë Kurti – Qytetarët si sukses e shohin shtrirjen e sovranitetit në veri e dështim zhvillimin ekonomik

Prishtinë | 22 Mar 2024 | 14:27 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Trevjetorin e Qeverisë Kurti, qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online e shohin në forma të ndryshme. Si sukses ia faturojnë shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, ndërsa konsiderojnë se ka çaluar në zhvillimin ekonomik.

Qytetari Ridvan Aliu, thotë për Ekonomia Online se duhet punë më të madhe për ndaljen e migrimit. Ndërsa thotë se ka më shumë kontroll në veri.

“Ka veti pozitive kuptohet, sa i përket ekonomisë nuk e di sa, nuk jam i kënaqur ama punë tjera sa i përket sovranitetit të vendit ka bërë punë të mirë, domethënë deri diku e ka shtrirë sovranitetin edhe në komunat në veri atje. Tash nuk e di deri diku jam i kënaqur por në përgjithësi ka edhe çalime e ngecje duhet me punua më shumë, sidomos për të rinjtë, arsimi më rend të parë, të rinjtë mos të dalin jashtë, shumica po emigrojnë e kështu që nuk e di sa, ndoshta në të ardhmen do ketë edhe më tepër”, thotë Aliu.

Zhvillimin ekonomik e rritjen e rrogave, Safedin Kika i sheh si ngecje, ndërsa thotë se partitë opozitare kishin për synim ndarjen e veriut.

“Me ardhjen e Kurtit si kryeministër ka bë kthesa të mëdha, sa i përket çështjes politike, çështjeve tjera si zhvillimet ekonomik e rritja e rrogave ka mbet mbrapa. Mirë ka bë sa i përket politikës në pjesën veriore të Kosovës, sa kanë qenë ata para, deshën me e dhanë pa kurrfarë kushti, mirëpo me ardhjen e tij i ka ndërpre të gjitha ato maskarallëqe që i ka bë PDK-ja e LDK-ja”, thotë Kika.

E Server Hyseni thotë me bindje se gjatë qeverisjes trevjeçare të Qeverisë Kurti janë bërë punë të mëdha.

“Mendimi jem është që mirë bre kanë punuar, qeveria s’po di, është duke punuar në bazë të asaj çka po mundet, por duhemi t’iu përmbahemi të gjithë, jo veç me u ngacmua ndërmjet veti e ajo nuk është e mirë”, u shpreh ai.

Të ngjashme