Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, akuzoi Kinën se kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe pretendoi se Pekini kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhënat e rreth 220 milionë votuesve amerikanë.
Trump tha se kishte deklasifikuar qindra dokumente të inteligjencës që, sipas tij, mbështesin këto pretendime, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, ai nuk paraqiti prova se Kina kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Komuniteti amerikan i inteligjencës kishte përfunduar më herët se Kina nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020, ndërsa Ambasada Kineze në Uashington i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se Pekini “nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë kurrë” në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Demokratët e akuzuan Trumpin se po përpiqet të minojë besimin në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.
Ndërkohë, një sondazh i ri i Washington Post-Ipsos tregon se popullariteti i Trump ka rënë në 37%, mes shqetësimeve të qytetarëve për koston e jetesës dhe luftën me Iranin.