Turqia dënon me burgim të përjetshëm 11 ish-ushtarakë të akuzuar për puç

Prishtinë | 18 Pri 2019 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë në Stamboll ka shqiptuar të enjten dënime me burgim të përjetshëm për 11 ish-pjesëtarë të xhandarmerisë së qytetit, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në përpjekjen e dështuar të një pjese të ushtrisë për puç gjatë korrikut të vitit 2016.

Gjykata Penale e Stambollit i dënoi të 11 ish-ushtarakët edhe për pjesëmarrje në një “organizatë terroriste”, duke iu referuar organizatës së imamit Fethullah Gulen, dhe për “tentimin e rrënimit të rendit në Turqi”, ka raportuar të enjten “Al-Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”.

Në mesin e të dënuarve për burgim të përjetshëm është ish-komandanti i xhandarmerisë në Stamboll, koloneli Gurcan Sercan, si dhe ish-koloneli, Haydar Yalin.

Ata ishin ndër 39 të akuzuarit që gjykoheshin për përfshirje në rastin që hapi rrugën për zgjerimin e kompetencave të presidentit, Recep Tayyip Erdogan, në Turqi dhe ndërmarrjen e masave të ashpra të shtypjes ndaj mbështetësve të pretenduar të Gulenit në institucionet shtetërore.

Katër nga të dënuarit mbroheshin nga liria, ndërsa gjykata urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të tyre. Ankaraja pretendon se organizata e Gulenit është përgjegjëse për tentimpuçin e 15 dhe 16 korrikut në Turqi.

Vetë Guleni i ka hedhur poshtë pretendimet nga azili në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Turqia i ka kërkuar disa herë Washingtonit ekstradimin e tij në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme