Ministria e Jashtme turke e ka ftuar për bisedë ambasadorin e Belgjikës në Ankara të hënën, pasi që një gjykatë belge e ka bllokuar ndjekjen penale të rreth tridhjetë personave, që dyshohet se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), ka bërë të ditur një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke.
Gjykata e Apelit në Bruksel ka vendosur të premten se të pandehurit nuk mund të ndiqen për pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist, pasi që ka konstatuar se PKK nuk është organizatë terroriste, transmeton Reuters, përcjell Koha Ditore.
Sipas ligjit belg, terroristë nuk mund të cilësohen forcat e përfshira në një konflikt të armatosur, ndonëse Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Turqia e kanë shpallur terrorist këtë grup, që ka nisur kryengritjen në Turqi që nga vitet tetëdhjetë.
Ministria e Jashtme turke e ka quajtur të papranueshëm vendimin e gjykatës belge. Të hënën, e ka ftuar për bisedë ambasadorin belg, Michel Malherbe, për t’ia përcjellur shqetësimet e Turqisë rreth vendimit.