Turqia hedh poshtë kërcënimin “kolonialist” të Macronit

Prishtinë | 12 Sht 2020 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Shtetet jugore të Bashkimit Evropian thanë se do të hartojnë një listë të sanksioneve kundër Turqisë nëse Ankaraja nuk vjen në tryezën e negociatave për të zgjidhur një mosmarrëveshje territoriale me Greqinë dhe Qipron, shkruan Reuters.

Paralajmërimi u bë të enjten vonë, pas një samiti joformal të të ashtuquajturit grup MED7, i kryesuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Greqia dhe Qiproja janë në mosmarrëveshje me Ankaranë rreth rezervave të gazit natyror dhe kufijve detarë, transmeton KOHA.

Turqia thotë se ka të drejtë për të kërkuar gaz në zonat që dy vendet e BE-së thonë se janë pjesë e zonave të tyre ekskluzive ekonomike.

Grupi MED7, që përfshin shtetet me vija bregdetare mesdhetare, tha përmes një deklarate të përbashkët se shpreh “mbështetje dhe solidaritet të plotë me Qipron dhe Greqinë, përballë shkeljeve të përsëritura të sovranitetit të tyre, si dhe veprimeve konfrontuese të Turqisë”.

Pozicioni i MED7 nuk pasqyron domosdo qëndrimin e BE-së si tërësi. Macron tha se problemi nuk qëndron te populli turk, por te Qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Omer Çelik, zëdhënës i partisë së Erdoganit, shkroi në Twitter se Macron po shfaq një qëndrim “kolonialist”.

Turqia ka shprehur dëshirë për t’u bashkuar me BE-në gjatë pesë dekadave të fundit, por analistët thonë se numri në rritje i mosmarrëveshjeve midis Erdoganit dhe udhëheqësve të bllokut i ka zbehur këto perspektiva.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha javën e kaluar se Turqia duhet të ndalë “kërcënimet”.

Deklarata e tij erdhi pas paralajmërimeve nga NATO-ja se të dyja vendet janë pajtuar për të nisur dialogun për uljen e tensionit në Mesdheun lindor.

“Kërcënimet duhet të shuhen në mënyrë që kontaktet të fillojnë”, tha Mitsotakis. Ai tha se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, e informuan sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, mbi “veprimtarinë e paligjshme” të Turqisë.

Greqia mohoi se kishte rënë dakord të zhvillonte bisedime me Turqinë, të ndërmjetësuara nga NATO -ja, për të ulur tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit dhe naftës në rajon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme