Turqia po rrit prodhimin e kanabisit në të gjithë vendin për të përmirësuar ekonominë e vendit.
Kultivimi i drogës në Turqi u ndalua gjatë dekadave të fundit për shkak të rregullave anti-narkotike.
Megjithatë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha së fundmi se synon të rifillojë dhe të inkurajojë prodhimin e tij për përdorim industrial.
Për dekada me radhë, Turqia ka luftuar për të çrrënjosur Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që është konsideruar një grup terrorist i përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e drogës për të financuar aktivitetet e tij.
Turqia, e cila përdoret si rrugë për trafikimin e drogës nga Lindja në vendet evropiane, ka legjislacion shumë të rreptë për përdorimin e drogës, prodhimin dhe trafikimin e saj.
Erdogan njoftoi se dëshiron të zgjerojë prodhimin në mënyrë të ligjshme të kanabisit, duke theksuar se ndalimi i prodhimit të saj është një komplot nga fuqitë perëndimore për të minuar bujqësinë turke, transmeton oranews.
“Armiqtë e Turqisë, të cilët pretendojnë se janë miqtë tanë, detyruan Turqinë t’i japë fund prodhimit të kanabisit,”-tha ai duke iu referuar aleatit të tij në NATO, SHBA-ve, që e detyruan Turqinë të mos prodhonte lulëkuqe të opiumit në vitin 1971.
Në atë kohë, Turqia ishte prodhuesi kryesor i opiumit ligjor, por fermerët prodhonin edhe sasi të konsiderueshme në mënyrë të paligjshme.
Turqia madje ka një krahinë anatoliane të quajtur Afyon, që do të thotë “opium” në turqisht, i njohur në gjeneratat e mëparshme si një prodhues i madh i lulëkuqes.
Ministri turk i bujqësisë dhe pylltarisë Bekir Pakdemirli njoftoi gjithashtu se qeveria do të ndërmarrë hapa për rritjen e prodhimit të kanabisit, që deri tani është e lejuar vetëm në 19 nga 81 krahinat e Turqisë.
Kanabisi vjen nga Azia qendrore, ku bima është përdorur për 8.000 vjet. Rajoni është gjithashtu atdheu origjinal i popullit turk.
Përdorimi i gjerë i kanabisit industrial e bën atë një produkt shumë tërheqës bujqësor për shumë vende, përfshirë Turqinë.