U akuzuan se po refuzojnë t’i trajtojnë kërkesat për anëtarësim, Ibrahimi: Komunat veriore janë pjesë e Asociacionit

Prishtinë | 19 Mar 2024 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, sot ka hedhur akuza ndaj Asociacionit të Komunave të Kosovës, pasi sipas tij, po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të tri komunave në veri të vendit.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit. Më datë 14 shtator 2023 kuvendet komunale të Komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë miratuar kërkesën për anëtarësim në AKK, ndërsa një ditë më pas, më datë 15 shtator Kuvendi Komunal i Zeveçanit gjithashtu votoi pro anëtarësimit në AKK. Për shtatë muaj Bordi i AKK-së nuk ka trajtuar kërkesën e komunave në veri të vendit për anëtarësim. Sot në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve kemi paraqitur kërkesën tonë që të futet në rend dite shqyrtimi i anëtarësimit të komunave të veriut të vendit, por e njejta fillimisht u refuzua me debat injorues dhe më pas me votë të partive të vjetra u pumundësua të futet si pikë e rendit të ditës”, ka shkruar Rahimaj në Facebook.

Në një përgjigje për Express, kryetari i Asociaconit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se tri komunat – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan- janë pjesë e Asociacionit.

Kështu, Ibrahimi shton se nuk mund të pranojnë diçka që veç se është e pranuar.

Ai shpjegon se ndryshe ka qenë rasti i Mitrovicës së Veriut.

“Këshilli i Kryetarëve deklaroi se na nuk mundemi me anëtarësu një komunë që është anëtare e Asociacionit. Ne si asociacion kurrë nuk kemi marrë ndonjë vendim nga ato tri komuna në veri që nuk do të jenë anëtare në Asociacion dhe ne nuk mund të pranojmë diçka që veç se është e pranuar. Në rastin e Mitrovicës së Veriut, ka qenë komunë e krijuar së voni dhe ata aplikuan gjatë verës së kaluar dhe ne e ftuam takimin urgjent për ta bërë pranimin e saj në Asociacion”, tha ai për Express.

Ai tha se tri komunat veriore kanë qenë anëtare në Asociacion, derisa shtoi se “akterët që e kërkuan këtë” kanë mungesë të informatave.

“E kjo është si mungesë e informatave që i kanë akterët që kërkuan që sot të trajtohet kjo cështje. Ne ia sqaruam por përkundër kësaj ata kërkuar të futet në rend të ditës por nuk mundesh me fut në rend të ditës diçka që është”, tha Ibrahimi.

Të ngjashme