Ligji për Paga ka hyrë në fuqi me automatizëm, pas përfundimit të afatit ligjor prej tetë ditësh për dekretim nga ana e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Arton Demhasaj nga Organizata ÇOHU, thotë se moskthimi i Projektligjit nga ana e Presidentit, nënkupton se ai ka hyrë në fuqi me automatizëm. Megjithatë, Demhasaj thotë se është dashtë të merren parasysh edhe kërkesat e tjera.
“Nëse Presidenti nuk e ka kthyer mbarë Projektligjin e Pagave me vërejtjet eventuale në Kuvendin e Kosovës, që ka qenë afati i fundit ligjor, atëherë nënkupton që heshturazi Ligji hynë në fuqi sot dhe duhet të publikohet në gazetën zyrtare. Nëse ka pasur vërejtje dhe është kthyer në Kuvend, atëherë Kuvendi duhet të tregoj. Nëse është kthyer vazhdojnë procedurat në lexim të tretë”, tha Arton Demhasaj.
Përkundër që pati kërkesa në adresë të presidencës që ky ligj të kthehet mbrapa, kjo nuk ndodhi. Zyra e Presidentit në një përgjigje për RTV Dukagjinin, thotë se kanë marr premtimet nga sponsorët e ligjit, që do të marrin parasysh ankesat për këtë ligj.
”Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Më tej Zyra e Presidencës pohon se kanë pranuar zotime nga ligjvënësit që në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme të këtij projektligji, Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidencës.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një përgjigje elektronike, tha se Ligji ka thelluar diferencat mes sektorëve, por edhe është bërë për të blerë vota.
“Përveç tjerave ky Ligj nuk hyn në fuqi menjëherë, hyn në fuqi pas nëntë muajve, qe nënkupton se Koalicioni Qeverisës ka planifikuar që pagat me rritje të dalin dikur në kohë zgjedhjeve, që nënkupton se prapë mund të kemi blerje të votave me taksa te qytetarëve”, ka thënë për RTV Dukagjinin, Hykmete Bajrami.
Votimi i Ligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës u bë më 2 shkurt, por paraprakisht shumica e punonjësve publik, shprehën pakënaqësi rreth vlerësimit të koeficienteve.