UBT zyrtarisht është anëtarësuar në EURASHE (European Association for the Applied Sciences in Higher Education), një nga organizatat më të rëndësishme evropiane që përfaqëson institucionet e arsimit të lartë të orientuara drejt shkencave të aplikuara, inovacionit dhe zhvillimit profesional.
Me këtë anëtarësim, UBT i bashkohet rrjetit evropian të institucioneve të arsimit të lartë, duke forcuar edhe më tej pozicionimin e tij në arenën ndërkombëtare akademike.
Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se anëtarësimi në EURASHE përbën një moment të rëndësishëm për UBT-në dhe për Kosovën, pasi dëshmon kredibilitetin dhe seriozitetin institucional të UBT-së në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
“Anëtarësimi i UBT-së në EURASHE është një nder i veçantë për institucionin tonë dhe për Kosovën. Me këtë, UBT përmbush ciklin e anëtarësimeve në organizatat më të rëndësishme që kontribuojnë në politikat, zhvillimin, inovacionin, arsimin dhe kërkimin shkencor në Evropë dhe në botë. Ky është një konfirmim se UBT është një institucion serioz dhe kredibil, ndërsa njëkohësisht krijon mundësi të reja për pjesëmarrje aktive të stafit dhe studentëve tanë në zhvillimin e politikave evropiane, projekteve inovative dhe avancimin e arsimit të lartë”, tha Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT, përmes përvojës së tij në inovacion, teknologji dhe aplikime industriale, do të ketë rol aktiv dhe kontribuues në forumet dhe debatet evropiane që lidhen me të ardhmen e arsimit të lartë.
Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm për UBT-në në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit akademik dhe pjesëmarrjes aktive në zhvillimet më të reja të arsimit të lartë në Evropë. Përmes këtij rrjeti, UBT do të ketë mundësi të kontribuojë në iniciativa evropiane, projekte inovative dhe politika që lidhen me arsimin, teknologjinë dhe tregun e punës.