UBT-ja bashkëpunon me Universitetin francez  “Polytech Annecy – Chambery”

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 14:38 | Nga

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, prof. dr Muhamet Ahmeti ka vizituar Universitetin “Polytech Annecy – Chambery”, në Francë, me ç’rast është takuar me rektorin e këtij universiteti, dr Laurent Foulloy, me drejtorin për Marrëdhënie ndërkombëtare, njëherësh edhe prodekan i Fakultetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dr Philippe Bolon, si dhe me pjesën tjetër të stafit administrativ të këtij universiteti, teksa vizita u ndërmjetësua nga presidenti i Shoqatës Franko-Shqiptare, Tahir Shabani.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të hidhen hapat e parë drejt krijimit të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve, me ç’rast përfaqësuesit e tyre shprehën gatishmëri për lidhjen e bashkëpunimit ndëruniversitar në të gjitha nivelet e studimeve, pjesëmarrje në programe të ndryshme, duke përfshirë Erasmus+ dhe programe tjera evropiane, pastaj shkëmbimin e studentëve, realizimin e vizitave të përbashkëta studimore, pjesëmarrjen dhe organizimin e konferencave ndërkombëtare shkencore etj.

Këtij takimi, rëndësi të madhe i kushtuan edhe gazetat dhe televizionet lokale franceze, të cilat takimin e paraqitën si kontaktin e parë ndëruniversitar mes institucioneve arsimore nga Franca dhe Kosova.

Universiteti “Polytech  Annecy –  Chambery” është  themeluar në vitin 1979 dhe numëron rreth 14 mijë studentë, mbi 1200 persona të punësuar dhe ofron studime në nivelet bachelor, master dhe doktoraturë, në katër fakultete të ndryshme, teksa aktualisht, ky institucion është i renditur në ranglistën e 50 universiteteve më të mira në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme