Për herë të parë në Evropë, në Kosovë do të mbahet Festivali më i madh Akademik Virtual, që do të organizohet nga institucioni i arsimit të lartë në vend – UBT.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në një konferencë për medie, ka dhënë detaje rreth aktiviteteve që do të zhvillohen nga data 6 korrik deri më 6 gusht 2020, raporton Ekonomia Online.
“Ne qe 9 vite organizojmë shkollën verore, ku marrin pjesë qindra pjesëmarrës nga bota dhe vendi. Këtë vit kemi vendosur ta formojmë festivalin… Ne duam që Kosova ta ketë njërin nga festivalin më të madh në rajon, festival akademik që lidhet me zhvillimin ekonomik, politikë me start-upe, ku mund të marrin pjesë njerëz dhe institucione nga vendi dhe bota. Do të vazhdojmë me shkollën verore ndërkombëtare me rreth 30 shkolla verore. Jemi shkolla më e madhe e organizuar në Evropë”.
Hajrizi tregoi se pritet të marrin pjesë rreth 10 mijë veta, studentë e profesorë nga universitete të ndryshme. “Do të kemi rreth 400 folës… Në korrik që Kosova të jetë destinacion i ekspertëve, politikanëve studentëve e profesorëve”.
“Studentët marrin deri në 3 kredi. Është shkëmbim i lirë në mes të profesorëve dhe ekspertëve dhe krijohet një vlerë shtesë… Do të organizojmë edhe samitin e UBT-së, ku do t’i trajtojmë temat aktuale për Kosovën dhe regjionin”.
Ai theksoi se nuk do ta anashkalohet as pandemia dhe efektet e saj. “Kosova meriton ta ketë një forum të vet ndërkombëtar. Do ta bëjmë forumin digjital online, duke i shfrytëzuar instrumentet mediale, që të bëjmë një ndërlidhje të mirë të pjesëmarrësve”.
“Qëllimi jonë është të shfrytëzojmë kapitalin tonë dhe lidhjet ndërkombëtare në mënyrë ta paraqesim mirë Kosovën. Do të vazhdojmë edhe me garat si për siguri kibernetike, me ese, me botën virtuale. Do të bëjmë një lloj ekspozite virtuale në mënyrë që studentët të lidhen me CEO- të ndryshëm”.
Hajrizi tha se festivali do të jetë për 1 muaj, nga datat 6 korrik deri më 6 gusht 2020 dhe do të jetë pa pagesë për të gjithë të interesuarit.
Në kuadër të këtij festivali janë të integruara 25 Akademi Ndërkombëtare Verore, 20 forume, 20 ngjarje/aktivitete, gara hiking, aktivitete kulturore-artistike. Rreth 500 profesorë, ekspertë, artistë dhe studentë ndërkombëtarë do të jenë pjesë e aktiviteteve të larmishme, nga më shumë se 150 vende të botës, të cilët do të diskutojnë lidhur me zhvillimet dhe inovacionet e fundit në botë në të gjitha sferat e profesionet, raporton EO.